Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deklaroi mbrëmë se BE-ja ka kërkuar që të digjen mandatet në veri dhe kësisoj të mos bëhet betimi i kryetarëve të sapozgjedhur në procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor, që u mbajt më 23 mars.
Zulfaj shprehet se “ideja është që këta të digjen si mandate duke mos e bërë betimin, kërkesa të tilla nuk mund të parashtrohen”.
Ai thotë se në veri ka pasur bojkot të qëllimshëm të Listës Serbe, e cila siç thotë ai, është evidente që ka gabuar që nuk mori pjesë në zgjedhje.
Edhe po të ishte prezente në këto zgjedhje, Zulfaj është i mendimit se besimi ndaj saj nga serbët lokalë nuk është i madh.
Zulfaj ka thënë se tashmë ka kryetarë komunash të zgjedhur me mandat ligjor.
“Bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e tyre ishte vendim i gabuar që ne nuk mund ta vuajmë. Ata kanë lloj-lloj idesh e dëshirash që ne nuk mund t’i komentojmë sepse nuk janë dëshirë e proces i kryeministrit, por proces që vendoset nga institucionet e ndryshme në Kosovë”, tha ai për KTV-në.
Zulfaj foli edhe për Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilin tha se i ka përfunduar të gjitha detyrat që i ka pasur dhe se të martën mbrëma është shkarkuar për shkak se nuk ka më diçka që mund të bëj.
Zulfaj draftstatutin e prezantuar nga ky ekip e ka quajtur skandaloz dhe komplet të papranueshëm për Kosovën.
“Ekipi ka konsumuar mandatin që ka pasur me atë përbërje të kontestueshme dhe me udhëheqësen Daniela. Me atë draft skandaloz ai ekip edhe është shuar. Draftin që e kanë deklaruar është komplet i papranueshëm për ne. Ka ekzistuar ky ekip. Është çmontuar, më nuk ka çka na duhet më ky ekip”.
Ai ka theksuar se në takimin e radhës pala kosovare do t’i paraqesë idetë e veta.
“Kur bisedojmë herën tjetër ne do të kemi idetë tona. Ne e kemi quajtur komplet të papranueshëm. Nuk janë vetëm kërkesat tona që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive (Asociacioni), është edhe qëndrim i BE-së dhe SHBA-së”.
Sipas Zulfajt, Qeveria nuk e ka në plan që të formojë një ekip tjetër menaxhues për draftstatutin.