Pas dështimit të 47-të për ta emëruar deputeten Albulena Haxhiu si kryekuvendare dhe për të konstituar Kuvendin, i cili ka lënë boshllëk institucional që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, partia e parë e dalë nga këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje “shpresat” e vetme i ka tek partia Nisma Socialdemokrate.
Kjo e fundit njihey si parti që nuk heziton për koalicione, shkruan Gazeta “Enigma”.
Partitë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje për bllokadën nëKuvend, edhe pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka detyruar të gjejnë zgjidhje në afat prej 30-ditësh, me kompromis apo konsensus, afat ky i cili përfundon më 24 korrik.
Emri i Albulena Haxhiut në krye të kuvendit nuk po pranohet nga partitë opozitare, e me këtë emër Lëvizja Vetëvendosje, po e mban peng Kuvendin, duke mos dhënë emër tjetër.
Partitë opozitare këmbëngulin në emër tjetër, kurse Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul në votimin e fshehtë për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, edhe pas sinjalit të Kushtetueses, e cila tha se forma e votimit duhet vazhduar si në seancat e mëherëshme konstituive, ku votimi i fshehtë nuk është përdorur asnjëherë.
E ndryshe prej herave të tjera, sot deputët e LVV-së, por edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj u shprehën pozitiv për një bashkëpunim midis dy partive, teksa konfirmuan se ditëve në vijim do ketë dhe takim mes tyre.
Koalicioni “zhbllokues” LVV – Nisma? Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj pas seancës së 47-të tha se gjatë javës do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të “bashkëbiseduar për të dalë prej kësaj situate”.
Ai shprehu gatishmërinë për “ta ndihmuar” LVV-në për formimin e qeverisë së re.
“Gjëja e parë elementare është komunikimi, bashkëbisedimi mes njerëzve dhe politikanëve për të dalë nga kriza. Qysh me dalë nga kriza nëse nuk bisedohet”, tha ai.
Kjo situatë, Limaj tha se “është bërë e tepërt”, ndërsa me Kurtin, të cilit iu referua si “Kryeministër” tha se do të tentojnë ta gjejnë një zgjidhje.
“Kosova ka votuar për qeverinë, për të pasur një kryeministër, një qeveri” “Është partia e parë që ka marrë shumicën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës”, tha ai.
Edhe kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, konfirmoi se do të ketë takime të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, pasi siç u shpreh, të dyja palët kanë vullnet për bashkëpunim.
“Por nuk kemi diçka konkrete”, tha ajo. Ndërkaq në pyetjen se nëse Limaj do këmbëngulte për kryeparlamentar, Haxhiu u përgjigj: “Tashmë VV-ja ka dhënë qëndrimin, propozimin. Duke qenë se është emri im në kandidaturë, nuk mund të them më shumë”, përfundoi ajo.
Shpresa tek Nisma?
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën “Enigma” se takimi mes Kurtit dhe Limaj është hap i domosdoshëm për konstituim të Kuvendit dhe duhet trajtuar me urgjencë.
“Është hap i domosdoshëm ekzistencial, por i vonuar sepse kanëmbetur edhe 5-6 ditë deri tek skadimit i afatit të Kushtetueses për konstituim të Kuvendit. Pra është diçka që duhet bërë sa mëparë, pra me urgjencë”, tha ai.
Tutje, Baraliu theksoi se pozita e kryekuvendarit do të jetë peng i marrëveshjes mes këtyre dy forcave politike në Kuvend.
“Pozita e kryekuvendarit është një nyje gordiane sepse qëllimet politike dhe synimet e Nismës Socialdemokrate që në fillim, kinse për përkrahje të kujtdo qoftë, në interes të krijimit të institucioneve dhe shtetit, e cila nuk ndodhi, kjo tregon se ata janë aty më tepër për pushtet se sa për shtet”, tha ai.
“Marrja e pozitës se kryekuvendarit, ka një prapavijë, e siç duket kjo për Vetëvendosjen është e paparanueshme sepse nënkupton që vitin e ardhshëm kur të vij koha për zgjedhjen e presidentit të vendit, mund të sjellë një situatë ku kryetari i Kuvendit do ta ketëmundësine e u.d të presidentit dhe kjo nënkupton kompetenca tëdyfishta. Ju kujtohet kur ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi kishte zëvendësuar në një situatë të tillë dhe kishte ndërmarrë disa veprime e autorizime të cilat konsideroheshin të tejkaluara. Këtu është ngërçi që ai (Fatmir Limaj) të mos pranohet dhe kur ai nuk e pa veten të propozuar ka ndërruar kursin dhe tani sillet herë me ata, herë me këta, kur në fakt është me opozitën”, shtoi Baraliu.
Baraliu tha se në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e tillë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duhet të heq dora nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe të jap 3 votat e partisë së tij, pa asnjë kusht.
“Do duhet ai (Limaj) të hiqte dorë dhe t’i jepte 3 vota pa asnjë kusht dhe gjitha partitë opozitare ta votojnë konstituimin e Kuvendit sepse pas afatit ne do të kemi ballafaqime me situata emergjente, ku shteti mbetet pa institucionet kryesore. Edhe nëse duam të kemi zgjedhje të reja, Kuvend nuk kemi për t’i miratuar ato”, u shpreh tutje ai.
Më tej, ai pohoi se një koalicion i pakicës mund të funksionoj, por praktikat parlamentare kanë treguar më herët se një situatë e tillë mund të jetë e dëmshme.
“Se sa i qëndrueshëm do ishte koalicioni mes VV-së dhe Nismas varet se çfarë çështjet do trajtohen dhe sa do ketë ndershmëri nëatë koalicion. Në qoftë se nuk merren vesh për një marrëveshje me njërën prej partive të mëdha opozitare, ky koalicion do jetëkoalicion i pakicës. Mund të funksionojë, por praktika parlamentare ka treguar se në koalicione të pakicës, kur ka pasur 80 vota e sipër, nuk ka funksionuar përshkak se aty janëbashkuar partitë sa për të ndarë pozitat, dhe ministrat u janëpërgjigjur vetëm liderëve të tyre politik, dhe kjo shkon në dëm tështetit”, përfundoi ai.
Avokati Ardian Bajraktari tha se VV-ja e ka për detyrë ta tejkalojë këtë bllokadë dhe të themeloj institucionet sa më shpejt.
“Situata përkatësisht bllokada në Kuvend para së gjithash është e natyrës politike, është detyrë e deputetëve e veçmas e grupit më të madh parlamentar me gjetë zgjidhje dhe me tejkaluar këtë çështje dhe rrjedhimisht me i themelu institucionet sa më parë”.
Ai tha se pavarësisht faktit se Kushtetuesja ka lënë mangësi në aktgjykim, është e detyrueshmë të zbatohen ato.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme me u zbatu, këtë e përcakton nenin 116, paragrafi 1 i Kushtetutës, andaj shpresoj që të kemi reflektim, pavarësisht faktit se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka lënë mangësi tek pjesa e dispozitivit, e veçmas se cilat janë pasojat eventuale nëse nuk ka konsituim të Kuvendit brenda afatit 30 ditor. Është detyrë me gjet zgjidhje, dhe çdo marrëveshje e arritur në rastin konkret nga subjekti më i madh politik në Kuvend që do të siguronte numrin qoftë edhe minimal të deputetëve për të ecur tutje është e mirëseardhur“, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/