Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
Seanca do të fillojë në ora 10:00.
Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.
Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.
Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.
Ndryshe, në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.
Për të përkujtuar këtë ngjarje mjaft të rëndësishme, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne./Gazerta Enigma/