Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, ku Prokuroria ka nisur hetimet dhe është arrestuar një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 29-vjeçarin, Lum Bulliqi, i cili dyshohet se ka keqpërdorur seksualisht një 14-vjeçare.
Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, rasti është denoncuar nga nëna e të miturës, e cila ka deklaruar se vajza e saj për disa ditë me radhë nuk është kthyer në shtëpi dhe gjatë kohës që ajo ndodhej larg, dyshohet se kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë edhe dëshmia e të miturës në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Bulliqi është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.