Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nga Forumi i Delfit në Greqi ka thënë se nuk është koha e duhur për ta hapur urën e Ibrit, kjo pas vendimit të sotëm nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut.
Lajçak, përmendi edhe vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, por para se të kalonte aty, fillimisht foli për sfidat deri në arritjen e dy marrëveshjeve – atë të 27 shkurtit dhe të 18 marsit.
“Lidhjet mes Kosovës dhe Serbisë janë sfidë e madhe…Ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në të gjithë Ballkanin, dhe lidhja e tyre shkon përtej atyre bilaterale. Kemi pasur faza të ndryshme në këtë process, pjesa e dytë e vitit të kaluar, shkoi duke menaxhuar kriza. Nuk mund as të ëndërrosh për normalizim, kur je duke larguar barrikada.” – tha ai.
Lajçak e bëri të qartë se duhet të shmangen veprimet e njënashme, duke përmendur se “shumë lehtë mund të kalohet në një krizë tjetër”.
“Kemi një rrugë për normalizim, siç thash, shumë lehtë mund të kalohet në një krizë tjetër si çështjet për energjinë, tokat, targat – tash më e rëndësishmja është që të fokusohemi në implementim, dhe të shmangim çdo veprim të njënashëm.” – u shpreh ai.
Dhe pikërisht kur po fliste për veprimet e njëanshme, emisari evropian përmendi vendimin e sotëm për të hapur urën e Ibrit, duke e theksuar se “nuk është koha e duhur për këtë”.
“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platform e drejtë, ky plan, është një plan “win-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet.” – tha ai.