Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar vizitë së shpejti në Prishtinë dhe Beograd për të folur me krerët e të dy shteteve përpara takimit të 18 marsit.
Lajçak foli edhe për pritshmëritë e takimit të 18 marsit, ku tha se ai pret që palët të pajtohen për rrugën e implementimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.
“Ne presim që palët të pajtohen për rrugën e implementimit dhe për këtë palët duhet të përgatiten për konstruktivitet për propozimet, bazuar në tekstin tonë. Kjo është ajo çka unë pres që të diskutojmë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës sonë në Prishtinë dhe Beograd”, është shprehur Lajçak.
Ai foli edhe për takimin që u mbajt më 27 shkurt, ku tha se takimi mes liderëve ishte i mirë, i hapur, i sinqertë dhe interesant për ta ndjekur.
“Ata nuk u pajtuan në shumë gjëra por thanë që diskutimi ishte shumë i mirë. Rezultati më i rëndësishëm i takimit ishte marrëveshja. Teksti i marrëveshjes tashmë zyrtarisht është i përfunduar dhe ne kemi filluar bisedimet për implementimin e tij”, është shprehur Lajçak.