Lajçak të premtën vjen në Kosovë, Serbia nuk është në agjendën e tij

Lajçak të premtën vjen në Kosovë, Serbia nuk është në agjendën e tij

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të premten, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën.

Kështu ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në Bruksel.

Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kësaj radhe, sipas burimeve, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas bllokut mund të rrisin tensionet në veri të vendit.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

Related Articles