Gazmend Isufi, drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës, është larguar përkohësisht nga puna nën dyshimin se ka kërcënuar u.d. së kryeshefes së këtij institucioni, Fakete Kadiu.
Sipas vendimit të Komisionit disiplinor të siguruar nga Koha thuhet se “Isufi ka hyrë në zyrën e KE-së dhe e ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të shkatërru, thirre kënd të duash’”.
“Komisioni ka vlerësuar rrezikshmërinë e situatës dhe me qëllim të marrjes së masave preventive të ruajtjes së imazhit të ndërmarrjes dhe mosacarimit dhe eskalimit të situatës së krijuar dhe parandalimin e ndonjë eksesi në këtë drejtim lidhur me rrezikimin e kryeshefes ekzekutive, konsideron se veprimi si në dispozitiv është parë i nevojshëm dhe i rëndësishëm”, thuhet në raport.
Inicimi i raportit për paraqitje në Komision sipas vendimit “është bërë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të Rregullores për Përgjegjësi Disiplinore dhe Materiale”
Koha ka kontaktuar me Isufin, i cili ka mohuar të ketë kërcënuar u.d. të kryeshefes Kakete Kadiun, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Situata ndërlidhet me protestën e zhvilluar gjatë ditës së enjte, ku një pjesë e punëtorëve kërkoi shkarkimin e kryeshefes dhe Bordit.
Sipas Isufit, kryeshefja “ka pretendime se ai i ka shtyrë këta punëtorë për të protestuar vetëm pse janë vartës të tij”. Por, siç ka thënë ai, nuk ka të bëjë asgjë me punëtorët që kanë protestuar dhe se ai as nuk mund ta ndalojë askënd për të mos protestuar.
Ka thënë se në Komisionin ad-hoc, që e ka larguar nga puna, anëtar është edhe një person me të cilin është në proces gjyqësor. Për këtë ka thënë se ka bërë ankesë në Prokurori të shtetit.
Ndërsa u.d. i kryeshefes, Fakete Kadiu, nuk është përgjigjur në thirrjet e telefonit./Gazeta “Enigma“/