LDK: Zgjedhja e Presidentit vetëm përmes marrëveshjes politike, dështimi përgjegjësi e VV-së

LDK: Zgjedhja e Presidentit vetëm përmes marrëveshjes politike, dështimi përgjegjësi e VV-së

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në rrjedhën institucionale pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas LDK-së, Aktgjykimi ka sjellë qartësi të nevojshme juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese, duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim.

Grupi Parlamentar riafirmon qëndrimin e tij për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike në vend. LDK thekson se çdo veprim politik duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake.

“LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës”, thuhet në komunikatën e partisë.

Sipas LDK-së, “çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë.”

LDK shton se përgjegjësia për ndërtimin e marrëveshjes dhe menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë, dhe çdo dështim do të bartë “drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje”.

Në rast të zgjedhjeve të reja, LDK njofton se do të garojë “e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar.”

Related Articles