Ish kandidatja e PDK-së për kryetare të komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku, i ka përgënjeshtruar thashethëmet se është arritur një marrëveshje për bashkëqevrisje në parim, gjatë negociatave të zhvilluara sot me Lëvizjen Vetëvendosje në Gjilan.
Ajo madje ka mohuar të jetë apostrofuar emri i saj si kandidate e mundshme për Kryesuese të Kuvendit Komunal në Gjilan.
Sipas zonjës Bunjaku, ajo që mund të konfirmohet deri në këto momente, ka të bëjë me rredhën e negociatave, të cilat tha që janë duke u zhvilluar, por akoma nuk kanë përfunduar, përkundër që janë përafruar qëndrimet.
“Pikërisht te drejtoritë kanë qenë dallimet. Ne madje kemi lëshuar pe, pasi fillimisht kemi kërkuar pesë drejtori, dhe aktualisht jemi dakordu me katër. Por nuk kemi pas gatishmërinë e palës tjetër, Lëvizjes vetëvendosje”, i ka thënë përmes telefonit, Gazetës Enigma, zonja Bunjaku.
Ndryshe, seanca e Kuvendit Komunal në Gjilan, pritet të mbahet të mërkuren më 5 janar, kur edhe pritet të zyrtarizohet marrëveshja finale për qeversijen e ardhshme katër vjeqare në Gjilan.