Në samitin e Bashkimit Evropian që u zhvillua të mërkuren, u takuan krerët më të lartë evropian, ku në kuadër të shumë çështjeve, temë diskutimi ishte edhe liberalizimi i viziave për Kosoven.
Çështje kjo e cila tash e sa vite është prioritet i secilës parti, gjatë qeverisjes së tyre, por që asnjëra nga qeveritë e Kosovës deri më tani nuk ka arritur ti sjellë përgjigjje pozitive qytetarëve të saj sa i përket lirisë së lëvizjës në vendet evropiane, shkruan Gazeta “Enigma”.
E në kuadër të samitit evropian, në mesin e shumë shteteve tjera, e pranishme ishte edhe Kosova e cila u përfaqësua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendës kryeministri, Besnik Biislimi.
Kurti në fjalën e tij, tha se Kosovës po i bëhet padrejtësi e madhe.
Ai theksoi se kanë kaluar tri vjet prej kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Është një padrejtësi e madhe dhe mungesë e trajtimit të drejtë të qytetarëve që kjo nuk ka ndodhur ende”, tha kryeministri.
Gjithashtu Kurti, kujtoi se janë pesë vende të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa shprehu shpresën se ata do të bëjnë këtë së shpejti.
“Qeverisë Kurti i duhet një strategji e veçantë”
Në një prononcim për Gazetën “Enigma”, Ariana Shoshi- Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se tashmë është e qartë se të gjitha institucionet e BE-së e kanë dhënë driten e gjelber sa i përket liberalizimit të vizave, duke theksuar se problemi qëndron tek disa vende që janë antare të BE-së, e të cilat po e vështirsojnë këtë proces.
“Qeveria Kurti duhet të ketë një strategji të veçantë se si ti qaset këtyre shteteve, të cilat hezitojnë për të votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka theksuar ajo.
“Dialogu dhe zhvillimet e fundit mendoj se janë tema që duhet të diksutohen dhe të jenë në kordinim me partneret ndërkombetar sepse një vend që nuk ka stabilitet politik e ka të vështir të ketë liberalizim te vizave”, është shprehur Shoshi.
Më tutje ajo ka thënë se librealizimi është një çështje nacionale dhe nuk duhet që të jetë çështje me të cilen do të bëhen politika ditore sepse sipas saj, kjo është në të mirën e gjithë shqiptarëve.
Edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të marten, përmes një videokonference në Samitin e Partive Popullore Evropiane për Ballkanin Perëndimor, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të aplikojë standarde të njëjta për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave.
Ndërsa, në samitin që u mbajt të mërkuren në Slloveni, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, foli për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, i cili tha se një proces i tillë do të nis.
“Ne duhet të të marrim përgjegjësitë dhe vendimin që na dërgon në këtë, që nënkupton nisjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e negociatave me Serbinë, përshpejtimin e punës tonë me Bosnjë dhe Hercegovinën që të jetë vend kandidat, dhe nisjen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Varhelyi.
Theksojmë se disa ditë para se të filloj Samiti i BE-së, qindra qytetarë nga Ballkani Perëndimor kanë nënshkruar një peticion që u bën thirrje qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të veprojnë me shpejtësi në heqjen e regjimeve të vizave dhe mundësimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen. /Gazeta “Enigma”/