Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, grup ky që njihet si Coreper.
Lajmin e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Presidenca çeke.
“Po, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot është rend dite”, thanë shkurt nga Presidenca çeke.
Në takimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian pritet të mos ketë diskutim por vetëm miratim të vendimit, pasi ditë më parë shtetet janë pajtuar lidhur me tekstin që pritet të miratohet sot.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte paraparë të diskutohej më 23 nëntor, por për shkak të situatës lidhur me targat ishte shtyrë për 30 nëntor.
Ndryshe, vendimi për liberalizimin e vizave pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2023, ose më largu 1 janar 2024.
Reklama
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, ndonëse Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë deklaruar se Kosova kaherë i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.