“Libri u bë udhërrëfyesi i jetës sime” – shkrimtari Ymer Berbati shpalos detaje interesante nga karriera e tij

“Libri u bë udhërrëfyesi i jetës sime” – shkrimtari Ymer Berbati shpalos detaje interesante nga karriera e tij



“Libri mbi të gjitha” – dhe rruga drejt librit është rruga e vetme që duhet ndjekur nga secili i ri në Kosovë sipas shkrimtarit kosovar Ymer Berbati.


Berbati i cili tërë karrierën e tij ja ka kushtuar librit, ka shkruar një varg librash me tematika të ndryshme, që janë vlerësuar nga shumë njohës të fushës. “Nëmë e varre”, “1000 thirrma për ty”, si dhe “Nëpër jetë” janë disa nga kryeveprat e tij.

Në një intervistë për Gazetën Enigma ai shpjegon rrugëtimin e tij deri tek libri i parë, sfidat si dhe pasionin e tij për shkrimin.

“Nuk lexova për tu bërë shkrimtar”, thotë ai, “Por u bëra shkrimtar duke lexuar”.

Intervista e plotë:

Gazeta Enigma: Si ka nisur dëshira juaj për shkrimin?

Berbati: Nuk lexova për t u bërë shkrimtar, por u bëra shkrimtar duke lexuar…

Që nga fëmijëria libri ishte shoku im më besnik. Nuk di se si u dashurova në libër por për mua libri sa ishte “mësimdhënës ” aq ishte edhe zbavitës. Libri u bë udhërrëfyesi i jetës sime. Na mungonte libri, por jo interesimi për të. Na vinin nga Shqipëria dorë pas dore dhe i lexonim në grup e si fshehtas nga spiunët. Kishim pak libra, pak shkrimtarë e shumë dashamirës të librit. Shkrimtarët nga Shqipëria për ne “ishin nobelistë!.

Gazeta Enigma: Cili ka qenë libri juaj i parë dhe si ju lindi ideja për të?

Berbati: Ideja për librin e parën nuk më kujtohet. Kisha shkruar shumë poezi gjatë një kohe dhe kurrë nuk isha i kënaqur me vlerën e tyre. Isha autokritik duke i krahasuar me poezitë e poetëve tjerë të vlerësuar. Pas shumë hamendjesh vendosa që t’i zgjedh ato që më pëlqenin dhe ua ofrova poetëve Ali Podrimja dhe Agim Viinca të cilat i morën në konsiderim dhe pranuan, Ali Podrimja Redaktor ndërsa Agimi si Recenuzues. Unë i kisha titulluar që nuk më kujtohet, por Aliu i ndjerë i titulloi ‘NËMË E VARRE’. Kështu, të themi, lindi libri im i parë me poezi duke vazhduar edhe 4 përmbledhje dhe një poemë, me titull ‘1000 THIRRMA PËR TY’. Me këtë poemë përfundova me poezinë dhe kalova në prozë me romanin tim të parë, ‘NËPËR JETË’, me Redaktor Nazmi Rrahmanin, duke përfunduar me romanin e pestë ‘Dragoi’ – kushtuar Adem Jasharit dhe UÇK-së. Shkrova edhe 6 libra me aforizma autorial, një ditar lufte dhe refugjatësh.  

Gazeta Enigma: Me cilin libër keni lidhje më të ndjerë?

Berbati: Libri im më i dashur është libri autobiografik ‘LEXIMI I VETVETES’ të cilin shumë lexues e kanë për zemër. Është një libër i rrallë në letrat shqipe, shkruar me të dhëna interesante dhe me stil arti. Në atë libër nuk jam vetëm unë por edhe shumë të tjerë tragjikë e krenarë që i krijoi koha e tyre.

Gazeta Enigma: Për cilën të arritur ndjeheni krenar?

Berbati: Arritja ime është suksesi im në një kohë sprovash kombëtare nën robëri të cilave, falë edukatës së leximit ju qëndrova i palëkundur, kur shumë “shokë” të u përkulen madje duke u bërë edhe përcjellës të qëndrimit tim patriotik.

Gazeta Enigma: Çka do ndryshonit nëse do ta kishit mundësinë në Kosovë?

Berbati:
Në Kosovë do të ndryshoja të ndryshoja mentalitetin provincial të intelektualeve tanë që shumë nga ta kanë të theksuar veti të jetës patriarkale e kjo nuk ndodhë vetëm me marrjen e një diplome, por varet nga shumë faktorë qytetarie të kulturës evropiane. Kur u regjistrova në Normale daja im i ndjerë me uroi duke më thënë “Urime nipash, tash do të bëhesh evropianë”,  “Po evropianë jemi dajë” – ia ktheva..por ai tha “Jo, daja të thotë të bëhesh evropianë me kulturë. Daja, ashtu si edhe unë kishim lindur në Shqipëri dhe daja kishte trashëguar nga ajo kulturë që kishte depërtuar nga Italia etj..

Gazeta Enigma: Një mesazh për rininë kosovare që çdo ditë e më shumë po e lëshojnë atdheun?

Berbati:
Romakët që sunduan botën me shpatë dhe e ndriçuan me kulturë, lavdin më të madha që i kushtonin dikujt nuk ishte pasuri, mençuria as trimëria, por thoshin, ‘Ky është punëtor’. Me këtë i përfshinin të gjitha të tjerat. Shprehia e punës dhe libri ky burim diturie do ta shpie rininë tonë përpara. Libri dhe përvoja dhe mësimi i popullit tonë është atdheu mbi të gjitha . Ata që jashtë atdheut kërkojnë shpëtimin do ta përjetojnë mallkimin, në mos ata brezi i tyre. Kosova është më e pasur se Zvicra, por kërkon kulturë punë të pandërprerë dhe mençuri.. Kultura e punës dhe e çdo veprimtarie është libri. Libri mbi të gjitha..!

Për autorin: Ymer Berbati u lind në Gosë të Kavajës – Shqipëri. Shkollën fillore e kreu në Likovc të Drenicës, Normalen në Prishtinë kurse studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe po ashtu në Prishtinë. Punoi në arsim, e nga viti 1980 deri më 1990 punoi në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës (Sekretariati i Informatave.). Shkruan poezi (pesë përmbledhje të botuara), prozë (katër romane të botuar), dhe aforizma (pesë libra me nga 1000 aforizma autoriale secili).

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe jeton në Prishtinë.






Related Articles