Presidenti polak, Andrzej Duda është nisur të mërkurën drejt Kievit, i shoqëruar nga liderët e tri shteteve baltike, me qëllim të rritjes së mbështetjes për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa pushtimi rus në Ukrainë kanë hyrë në javën e shtatë.
Një këshilltar i Dudas ka publikuar një fotografi në Twitter të liderit polak dhe tre homologëve të tij baltikë, duke thënë se grupi është në rrugë për në kryeqytetin ukrainas.
Të katër liderët janë pjesë e një liste të gjerë të zyrtarëve evropianë që kanë udhëtuar në Kiev për të biseduar me Qeverinë e Zelenskyt.
Duda dhe Qeveria polake kanë qenë ndër mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës, duke ofruar pajisje dhe furnizime për këtë shtet, si dhe duke strehuar më shumë se 2.5 milionë refugjatë ukrainas.
Varshava, marrëdhëniet e së cilës me Moskën janë gati armiqësore, u ka bërë thirrje NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të bëjnë më shumë për të forcuar Ukrainën kundrejt Rusisë.
Në disa raportime është thënë se edhe presidenti gjerman ka planifikuar t’i bashkohet grupit, mirëpo zyrtarët ukrainas e kanë bërë të qartë se e duan kancelarin gjerman, Olaf Scholz për vizitë.
Ukraina ka kërkuar armë të rënda, përfshirë tanket dhe artileri nga Gjermania, mirëpo Scholz ka bllokuar ato përpjekje, duke thënë se duhet të ketë veprim të përbashkët të BE-së.
Vendet tjera të NATO-s, sikurse Republika Çeke kanë vendosur të dërgojnë armë të rënda, duke përfshirë tanket.