Kapiteni i Dritës, Ardian Limani është duke folur në një konferencë për media në prag të debutimit të tij në ndeshjen ndaj Ferizajt.
Limani pohoi se atmosfera në kampin gjilanas është shumë e mirë, kjo edhe falë fitores ndaj Prishtinës javën e kaluar.
Mbrojtësi i krahut shtoi se me ndihmën e tifozëve ata synojnë fitoren ndaj Ferizajt.
“E dimë që pas fitores atmosfera është shumë e mirë. Fitorja ndaj Prishtinës na dha vetëbesim. Edhe nesër synojmë të bëjmë lojë edhe më të mirë. Ndaj Ferizajt nuk do të jetë e lehtë. Por me ndihmën e tifozëve që pritet të jenë në numër të madh do ta japim maksimumin për fitore”, tha Limani në konferencë.
Drita dhe Ferizaj do të përballen të shtunën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Sfida mes Dritës dhe Ferizajt është në kuadër të javës së 31-të në Superligën e Kosovës.