Zyrtarët e Listës Guxo nuk janë duke u pajtuar sa i përket garës në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, ku së fundmi zyrtarja e kësaj partie, Donika Gërvalla, pohoi se do të garojnë me një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, e pas kësaj deklarate ka reaguar Lista Guxo në Ferizaj, ku thotë se do të garojnë të vetëm dhe jo me Vetëvendosjen.
Në reagimin e bërë për media, thuhet se vendimi i tyre është që të garojnë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale.
“Lista Guxo në Ferizaj me qëllim të informimit të drejtë , të saktë dhe sqarimit të opinionit publik, e rikonfirmojmë se me datën: 3 Korrik 2021 është marrë vendim që të garojmë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale. Procedurat e regjistrimit si iniciativë janë tashmë në proces sikurse edhe përgatitjet teknike”, thuhet në reagim.
Më tej, në reagim thuhet se “ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi”.
“Ky vendim ka ardhur pas kërkesave të parreshtura të votueseve dhe aktivistëve tonë, të cilët na kanë mbështetur në zgjedhjet nacionale. Të dashur votues, ne e dërguam në vend premtimin ndaj juve dhe si rezultat i pakënaqësive që kishim me lidershipin e vjetër të LDK-së, u përcaktuam që ta përkrahim znj. Vjosa Osmani dhe kandidatët tjerë për deputetë si alternativë, kemi konsideruar se kemi vepruar mirë e drejtë dhe nuk jemi penduar, sepse kemi dashur ta bëjmë ndryshimin dhe ta ndjekim rrugën rugoviane për shtetndërtim”
“Por, në asnjë moment ne nuk jemi zotuar para elekroratit se do të shkrihemi brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo cilit do subjekt politik, përkundrazi i kemi premtuar elektoratit se do të formojmë subjektin tonë politik dhe do ta vazhdojmë aktivitetin tonë politik si subjekt në vete”, bëhet e ditur në deklaratën për media.
Tutje, Lista Guxo në Ferizaj, thekson se “ vendimi ynë është përmbushje e premtimit tonë ndaj elektoratit për ta vazhduar frymën rugoviane dhe angazhimi ynë do të jetë gjithmonë në përkrahje të personaliteve politike, të cilët ja duan dhe punojnë për të mirën e shtetit”.
“Ne shumë shpejtë do ta publikojmë listën me 45 kandidatë .
Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çdo subjekt tjetër e personalitet politik, që punon për të mirën e shtetit të Kosovës dhe për qytetarët e komunën sonë , por asnjëherë nuk do të punojmë për interesa të ngushta personale dhe nuk do të devijojmë nga rruga e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova”.