Me kalimin e afatit për dorëzimin e listave për kandidatët për deputetë, për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 28 dhjetorit, partitë publikuan listat me emrat e kandidatëve deputetë. Secila nga partitë e mëdha po ua ofron elektoratit nga 110 emra, për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Se sa do jenë të bindur nga elektorati me këta emra, pritet të dihet pas 28 dhjetorit, shkruan Gazeta Enigma.
Përgjithësisht nuk pati ndonjë ndryshim të madh krahasuar me zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje, top 10shen e ka të njëjtë nga hera e kaluar, ndërsa numër 11 e ka kandidat Andin Hotin, i cili mëherët ishte deputet nga radhët e PDK-së.
PDK në anën tjetër befasisht e futi Arben Mustafën nga Gjilani në top 5she, pra në vendin e pestë, çka u konsiderua e papritshme.
Top 10shen e PDK-së tani e përbën edhe Eman Rrahmeni, i cili është renditur i teti në listë.
Listës së PDK-së iu është bashkuar edhe Arian Tahiri, i cili garoi kokë më kokë me Faton Pecin për Mitrovicën e Jugut, muajin e kaluar.
Një prurje e re dhe e fuqishme për LDK-në po konsiderohet të jetë Ukë Rugova, djali i presidentit hisotrik Ibrahim Rugova.
Abdixhiku, Hykmete Bajramin e renditi para Doarsa Kica Xhelilit, një ndryshim nga zgjedhjet e kaluara. Ndërkohë, ankesa pati nga Agim Veliu, i cili kritikoi Abdixhikun për mospërfshirjen e tij në listë, duke e quajtur këtë “një padrejtësi të pashembullt”.
Ramush Haradinaj është përforcuar me Agim Çekun si dhe ish-shefin e AKI-së, Burim Ramadanin. Çuditërisht, Besnik Tahiri, i cili në zgjedhjet e kaluara nuk arriti të emërohej deputet, kësaj radhe është renditur i dyti në listë.
Fatmir Limaj me Nismën nuk është se ka ndonjë prurje domethënëse, por i pari i partisë mbrëmë i luti qytetarët që tëkenë besim në këtë parti, për ta kaluar pragun e më pas tëbashkohet me PDK-në, në Parlament.
“PDK ka bërë një ndryshim të guximshëm strukturor”
Analisti politik, Ylli Hoxha, në një prononcim për Gazetën Enigma thotë se PDK ka sjellur më së shumti emra të rinj në listë, çka mund të sjellë shtim të votave, por se edhe mund të ketë rreziqet e veta.
“PDK ka numër tejet të lartë të emrave të rinj, mbi 60 sosh në listë dhe po ashtu largim të kandidatëve permanent si Memli Krasniqi, Bernard Nikaj, Mimoza Ahmetaj, Zenun Pajaziti.
PDK po ashtu ka ngritur në listë persona me profil profesionisteësh, si Arben Mustafa, Besa Kabashi Ramaj e të tjerë.
Kjo nënkupton se PDK me Bedri Hamzen ka ndërmarrë një ndryshim të guximshëm strukturor, i cili mund t’i ketë përfitimet, por edhe rreziqet e veta”, thotë Hoxha.
Të njëjtat komente, Hoxha ka edhe për LDK-në.
“LDK po ashtu ka sjellë mbi 50 kandidatë të rinj dhe ka azhurnuar top listën e saj bazuar ne preferencat e votuesve më 9 shkurt. Kështu ke një pozicionim më të mirë të Avdullah Hotit e Hykmete Bajramit. Nga emrat e rinj shquhen profesionistë tëfushave si Ermal Sadiku, Adelina Thaçi, Janina Ymeri, Gëzim Kasapolli, Hyre Tejeci, si dhe asamblist të suksesshëm, siç është Bujar Gashi, i cili ka qene personi më i votuar në Prishtinë”, shprehet analisti.
Ndërkohë, sa i përket listës së VV-së, Hoxha thotë se shumica e kandidatëve janë të njëjtë.
“Lista e VV-së është më konservatore, duke pasur parasysh se numri më i madh i kandidatëve janë përsëritur nga zgjedhjet e 9 shkurtit”.
AAK po ashtu sipas tij ka shtuar numrin e “kandidatëve të suksesshëm nga asambletë komunale, qartazi duke u përpjekur qe të përsëris një rezultat më të mirë të korrur në zgjedhjet lokale, sesa ato nacionale”.
“Listat – përpjekje për ta arsyetuar bllokimin në 9 muajt e fundit”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se ndryshimet në lista, me disa tërheqje nga gara, janë përpjekje për ta anashkaluar dënimin nga populli, për bllokimin gati një vit të Parlamentit të Kosovës.
“Ka disa ndryshime. Disa njerëz kanë lëvizur, duke e parë që nuk ka rezultat duke qëndruar në këtë ulëse për disa mandate. E kanë parë që është mjaft dhe janë tërhequr. Pra një përpjekje për ta anashkaluar dhe arsyetuar bllokimin që e kanë shkaktuar në 9 muajt e fundit, pra në mënyrë që të mos ketë rënie”, deklaroi Baraliu për Gazetën Enigma.
“Tani shohim se edhe prurjet e reja që janë përpjekur t’i bëjnë, qëllimi i disa prej tyre është për ta kaluar pragun, e disa të tjerave për të fituar sa më shumë vota. Pra nuk shohim ndonjë orientim për të sjellë njerëz të dijes, të shkencës apo të profesionit, të cilët do ta ndihmonin Kuvendin për të avansuarnë veprimtarinë e tij. Pra ta stabilizonin në kuptimin profesional dhe etik në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme”, u shpreh tutje profesori universitar.
A do e kalojë Nisma pragun?
“Jo, nuk mendoj se Nisma do ta kalojë pragun”, tha Baraliu.
Por sipas tij, mund të ketë edhe parti të tjera që nuk do mund ta kalojnë pragun, duke mos përmendur emra.
“Kam një bindje se qytetari është jashtëzakonisht i zhgënjyer me këtë klasë politike. Dhe për ta argumentuar këtë nuk do të dalë në zgjedhje. Do ketë rënie në përqindje”.
Sa do i ndihmojë Ukë Rugova LDK-së?
Profesori universitar Baraliu thotë se kandidatura e Rugovës është “një përpjekje për ta përmirësuar imazhin para votuesve, kinse nga rruga e re, e cila ishte dështim i tyre total, po kthehemi në rrugën e Rugovizmit”.
“Të shohim se sa do ketë efekt kjo”, tha Baraliu.
“Partitë ish-opozitare, më konkurruese”
Njohësi tjetër i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, për “Enigmën” thotë se ajo çka u pa nga listat, tregon se partitë politike, në thelb, nuk kanë bërë ndryshime serioze krahasuar me zgjedhjet e shkurtit.
“Përveç disa lëvizjeve kozmetike, listat mbeten pothuajse të njëjtat. Interesante është se partitë që kanë qenë në opozitë, së paku në paraqitjen publike, duken më të organizuara dhe me përbërje më konkurruese sesa lista e koalicionit VV–Alternativa–Guxo–PSHDK, e cila nuk po jep sinjale të ndonjë risi domethënëse”.
Megjithatë, sipas Muhaxherit, çështja kyçe mbetet se çfarë do të ndodhë pas ditës së zgjedhjeve.
“Kosova nuk ka nevojë për një rund të ri bllokadash, pazareve të pafundme apo luftërave mes institucioneve. Vendit i duhet një proces i qartë, një rezultat i pranuar dhe një qeveri që formohet pa u zvarritur me muaj. Çdo gjë tjetër vetëm e dëmton stabilitetin politik dhe ekonomik”, deklaroi ai për Gazetën Enigma.
Më poshtë mund t’i shihni edhe njëherë listat e plota të partive më të mëdha në vend:





