Xhudistja e mirënjohur nga Kosova, Loriana Kuka, i ka dhënë fund karrierës në xhudo në moshën 27-vjeçare, pas eliminimit nga Lojërat Olimpike “Paris 2024”, shkruan Gazeta Enigma.
Për këtë njoftoi trajneri i saj Driton Kuka, i cili i uroi fat Lorianës “në rrugëtimin e ri jetësor”.
“Si axha yt … Lori të uroj fatin e Botës në jetën tande tash e tutje,në rrugëtimin e ri jetësor! Faleminderit për krejt”, shkroi Kuka në një postim në Facebook.
Loriana ka pasur një karrierë të bujshme në xhudo.
Ajo fitoi Çmimin e Madh të Xhudos në Tbilisi më 2019, Tashkent më 2018 dhe Antalia më 2018.
Kuka më pas përfaqësoi Kosovën në Lojërat Evropiane 2019 në Minsk dhe fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 78 kilogram.
Ajo po ashtu fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror 2019 në Tokio.
Në vitin 2021, Loriana fitoi një nga medaljet e bronzta në garën e saj në Masters Botërore të Xhudos 2021 të mbajtur në Doha, Katar.
Fitoi medaljen e artë për femra në Lojërat Mesdhetare 2022 të mbajtura në Oran, Algjeri.
Sportistja pejane po ashtu mori pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe tani në “Paris 2024”, por nuk arriti ta përmbushë ënrrën për një medalje olimpike. /Gazeta Enigma