Luftës në mes Rusisë dhe Ukrainës mund t’ia sheh “sherrin” edhe Kosova.
Kjo, për shkak që procesi i dialogut me Serbinë mund të zvarritet edhe më tej, nëse situata atje përkeqësohet.
Ani, pse që nga korriku i vitit të kaluar në Bruksel nuk ka pasur takime të nivelit të lartë të të dyja vendeve një gjë e tillë mund të mos ndodhë edhe për disa muaj, shkruan FrontOnline.
Kështu, po vlerësojnë disa analistë politik në vend.
Muhaxhiri: Pas ngjarjeve të fundit, s’do të ketë lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi
Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për FrontOnline se si shkak i tensioneve në mes Rusisë dhe Ukrainës të gjitha çështjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike mund të eklipsohen.
Si pasojë e kësaj, sipas tij nuk pritet të ketë as lëvizje në dialog në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Asnjë lëvizje në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të pritet përderisa të mos shtensionohen raportet mes Rusisë dhe Ukrainës, prandaj është iluzore të pritet ndonjë lëvizje në këtë aspekt sepse të gjitha potencialet politike, ekonomike dhe resurset njerëzore janë të fokusuara drejt krizës në Ukrainë, kështu që çdo projekt tjetër posaçërisht në Ballkan do të pezullohet deri në muajt në vazhdim”, është shprehur Muhaxhiri, për FrontOnline.
Madje, thotë se as që pritet të ketë takime të nivelit të lartë mes të dyja vendeve.
“Nuk do të kemi absolutisht takime të nivelit të lartë. Ngjarjet në Ukrainë janë të jashtëzakonshme, prandaj edhe nuk ka asnjë logjikë që shtetet si Amerika, Gjermania, apo edhe Britania të vazhdojnë të investojnë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë përderisa të jetë kjo krizë”, ka deklaruar ai.
Visar Ymeri: Përkrahja e Rusisë nga Serbia, shkëputje e bashkëpunimit me Perëndimin
Por, më ndryshe po mendon analisti tjetër Visar Ymeri.
Ai ka thënë se në këtë fazë është vështirë të konstatohet një gjë e tillë.
“Është vështirë të thuhet në këtë fazë, sepse lufta e Ukrainës kundër pushtimit nga Rusia nuk dihet sa do të zgjasë. Aktualisht i tërë opinioni publik perëndimor është i fokusuar në Ukrainë dhe nuk besoj që do të ketë përqendrim në dialogun Kosovë – Serbi. Faktor tjetër pastaj është edhe ndikimi që kjo luftë në Ukrainë do të ketë në rajon dhe në sjelljet e vendeve të rajonit”, ka thënë Ymeri, për FrontOnline
Por, nëse lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës zgjatë dhe Serbia vazhdon të rreshtohet krah Rusisë, atëherë do të ketë ndikim.
“Aktualisht e kemi Serbinë e cila po vazhdon të jetë krah Putinit në fushatën e tij për okupimin e Ukrainës. Nëse Serbia vazhdon të mbajë këtë kurs atëherë kjo do të duhet të nënkuptonte shkëputje të çfarëdo bashkëpunimi me Perëndimin e që do ta kishte pastaj ndikimin e saj edhe në dialog”, ka shtuar ai.
Demhasaj: Nëse situata në Ukrainë eskalon mund të ketë zvarritje në dialogun Kosovë-Serbi
Mendim pothuajse të njëjtë me të Ymerit ka analisti tjetër, Arton Demhasaj.
Sipas tij, në rast se ka tendenca të eskalimit të mëtejmë të situatës në Ukrainë, atëherë diplomacia botërore mund të koncentrohet kah problemi i Ukrainës dhe nuk merren me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Po e them këtë në aspektin e lartë politik edhe të presionit të madh sepse përndryshe emisarët që janë të dërguar për çështjen e Kosovës ata munden me vazhdu punën e tyre, por në rast se nuk ekziston presioni pak më i madh direkt nga Uashingtoni dhe Brukseli mundet me u prolongu ky proces . Prandaj, mendoj që po mund të ketë pasoja në zvarritje e procesit të dialogut Kosovë-Serbi në arritjen e marrëveshjes në rast se situata atje vazhdon të eskalojë dhe pastaj do të ketë nevojë që Bashkimi Evropian dhe Amerika me u marr më tepër me këtë çështje”, është shprehur Demhasaj për FrontOnline.
Tri ditë më parë në Bruksel është mbajtur një takim në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Ndërsa, që nga korriku i vitit të kaluar nuk ka pasur takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. / Gazeta Enigma.