Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka ngjalluar shqetësime për Ballkanin Perëndimor. Situata e tillë e krijuar nga agresioni rus, ka lëkundur rendin ndërkombëtar, shkruan Gazeta Enigma.
Madje, analisti Gazmir Raci thotë se lufta në Ukrainë e filluar nga Rusia me invazionin ushtarak do të ketë ndryshime edhe në raportet e politikës së jashtme. Ai thekson se ndryshime të theksuara do të ketë edhe në bisedime, sepse sipas tij Serbia nuk arriti të rreshtohet drejtë në vendosjen e sanskioneve ndaj Rusisë.
“Përfundimisht u bë publike që Serbia është aleati kryesor i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, e që për neve dhe për shtetet tjera është kërcenim serioz për të tashmen dhe të ardhmen”, ka thënë Raci për Gazetën Enigma.
“Kosova është në fazën më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë”
Ndërsa, edhe eksperti Drizan Shala ka folur për sigurinë në Ballkan, ku tha se është parashikuar që ky tension do të mund të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në Bosnjë – Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë.
“Republika serbe brenda Bosnjës dhe Hercegonivës ka një potencial që të ndodhë një shkëputje dhe bashkim me Serbinë dhe kështu mund të jetë fillimi i jetësimit të botës serbe”, tha Shala.
Ndër të tjera, Shala thotë se Kosova është në fazën më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë sepse sipas tij ka presion ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje të përgjithshme për procesin e saj drejt Bashkimit Evropian në raport me Serbinë.
Sipas tij, syt do të jenë nga ana e institucioneve të Kosovës të sigurisë dhe atyre politike se çfarë veprimesh do të ndërmarrin në rast të ndonje eskalimi nga grupet kriminale në veri të vendit.
Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për pasojat që mund të shkaktojë konflikti në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.
“Qartë që për rajonin tonë mund të ketë pasoja, sidomos që lidhen me sigurinë. Rusia vazhdon ta ketë satelit në rajonin tonë, Serbinë. Serbia i ka shërbyer interesave ruse për një kohë, e ka rritur bashkëpunimin ekonomik e ushtarak me Rusinë gjatë viteve të fundit në një masë aq të madhe sa është shqetësim jo vetëm për shtetet e rajonit, të cilat e duan paqen, por edhe për partnerët tanë nëpër botë”, ka thënë Osmani.
Vlen të theksohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë ka njoftuar se ka biseduar me me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Kurti dhe Esobar, i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, janë takuar në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit.
“U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Edhe më herët Kurti, por edhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur shqetësimin se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim me Escobarin, Kurti ka rikthesuar edhe “domosdoshmërinë e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës”. /Gazeta Enigma/.