Pak ditë para se vendi të shkoj sërish në një raund të ri të zgjedhjeve lokale, partitë politike kanë filluar kalkulimet e tyre politike, se kënd e mbështesin në balotazh. Në Komunat e mëdha ku partitë kanë nuhatur konkurrencën, janë vënë në lëvizje duke ‘qëndisur’ koalicionet, shkruan Gazeta “Enigma”
Përderisa në kryeqytet nuk ka ende ndonjë koalicion zyrtar, në garë mbeten Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ai i LDK-së, Përparim Rama.
Ndryshe nga Prishtina, në Gjilan kanë ‘lulëzuar’ koalicionet kryesisht në mbështetje të kandidatit të LDK-së, Lutfi Haziri i cili në raundin e parë doli i dyti, pas Alban Hysenit të LVV-së.
AAK-ja i doli në mbështet Hazirit, po ashtu edhe AKR dhe Lëvizja Vatra.
Ndërkohë PDK në Prizren javën e kaluar lidhi kolacion me AAK dhe Nismën.
Matematikat e partive në Vushtri e Fushë Kosovë
Një nga komunat që do të votoj sërish këtë të diele, është edhe Fushë Kosova.
Në këtë komunë do të përballen Enver Bajqinca i Vetëvendosjes dhe Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kandidati i VV-së, Bajqinca i cili doli i dytë në raundin e parë ka thënë se në parim janë pajtuar që të ketë mbështetje jo vetëm nga PDK por edhe partitë tjera.
“Marrëveshje në parim kemi pasur prej fillimit me partitë që kemi qenë në opozitë (PDK e të tjerat) që kushdo që shkon në balotazh ta përkrahim atë parti”, ka thënë Bajqinca.
Kolalicon pata zgjedhor arriti edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate në Vushtrri.
PDK përpos kësaj, ka arrit koalicion edhe më Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
“Të zotuar në qeverisje të mirë, duke harmonizuar programet tona për Vushtrrinë e me besim se do të arrijmë të zhvillojmë më shumë qytetin tonë e të krijojmë vende të reja të punës kemi arritur koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – AAK dega në Vushtrri”, ka njoftuar Idrizi në “Facebook”.
PDK dhe LDK nënshkruajnë marrëveshje koalicioni në Malishevë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës, Isni Kilaj do të përballet në balotazh me Ekrem Kastratin e Nismës Socialdemokrate, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
Partia Demokratike e Kosovës në Malishevë ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, gjatë një takimi me qytetarët e kësaj komune.
Ai tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe se do të punojë për zhvillim e punësim.
“Ne kemi një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës …. po sot gjithashtu dua t’ju njoftoj se kam nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës… sot e kemi nënshkruar një marrëveshje të tillë e cila do të jetësohet ditëve në vijim. Kemi po ashtu mbështetjen e të gjitha strukturave të Vetëvendosjes, të Listës Guxo dhe kemi mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Malishevës”, ka thënë ai.
Kilaj ka njoftuar po ashtu se kanë lidhur marrëveshje për mbështetje me AAK-në në këtë komunë.
Disa nga koalicionet më 2017
Nga zgjedhjet e 22 tetorit 2017, 19 nga 38 komuna patën shkuar në raund të dytë të zgjedhjeve.
Në Prishtinë në balotazh ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidat, Arban Abrashin i cili kishte zyrtarizuar koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Derisa, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbështetjen në koalicion zyrtar nga Aleanca Kosova e Re.
Në Gjilan, LVV-ja kishte marrë mbështetje nga Partia e Drejtësisë, derisa LDK-ja kishte garuar e vetme.
Në Podujevë, LDK-ja dhe LVV-ja patën garuar të vetme. Edhe në Suharekë, AAK-ja dhe LDK-ja nuk kishin bërë ndonjë koalicion parazgjedhor. Po ashtu, PDK-ja dhe LVV-ja në Kaçanik nuk kishin zyrtarizuar ndonjë koalicion.
Në Mitrovicë të Jugut, kandidati i AKR-së, Agim Bahtri kishte mbledhur katër parti LVV-ja, Nisma, Alternativa dhe Partinë e Drejtësisë kundër Valdete Idrizi, kandidate e PDK-së, e cila kishte marrë mbështetjen e AAK-së.
Në Prizren, Mytaher Haskuka nga LVV-ja mori mbështetjen e partive si Nisma dhe Alternativa. Ndërkaq, Shaqir Totaj nga PDK-ja mori mbështetjen e AAK-së dhe KDTP-së.
Në Gjakovë, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini pati marrë mbështetjen e Partisë Shqiptare Demokristiane. Derisa Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa kishte pasur mbështetjen e LVV-së, LDK-së si dhe AKR-së.
Në Malishevë, PDK-ja bëri koalicion me AKR-në kundër Nismës, e cila nuk bëri koalicion.
Në Vushtrri, LDK-ja kishte marrë mbështetjen e AKR-së dhe LVV-ja kundër PDK-së me AAK-në.
Kandidati për Komunën e Kamenicës nga LDK-ja pati marrë mbështetjen e AKR-së për këtë komunë. Ndërkaq, kandidati i LVV-së, Qëndron Kastrati pati bërë marrëveshje koalicioni me AAK-në. /Gazeta Enigma.