Vizita e Escobarit në Kosovë, Haziri për Enigmën “ky takim do t’i jep oksigjen politik Kosovës”

Vizita e Escobarit në Kosovë, Haziri për Enigmën “ky takim do t’i jep oksigjen politik Kosovës”

“Status quo’, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, janë disa nga mesazhet e emisarit special për dialogun, Gabriel Escobar, i cili i bëri pak ditë para se të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Por, Escobar pohoi atë që e tha edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se i kanë propozuar Qeverisë së Kosovës modele se si mund të funksionojë Asociacioni, duke i inkurajuar që t’i shqyrtojnë.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Gabriel Escobar.

 “Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, ka shtuar ai.

Përfaqësuesi për dialogun dhe bashkëpunim rajonal nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë për Gazetën “Enigma” se çështje kryesore kanë të bëjnë me përmbylljen e marrëveshjes.

“Marrëveshja e parë është nënshkruar në vitin 2013, me karakter kushtetues. Vizita do të mbahet javën e ardhshme dhe çështjet më shumë kanë të bëjnë me përmbyllje të marrëveshjes. Ky takim do t’i jep oksigjen politik Kosovës”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi për dialogun dhe bashkëpunim rajonal nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri

Analisti Durajet Imeri, thotë se Kosova duhet të vazhdojë t’i respektojë çështje ndërkombëtare dhe duhet që të themelojë një asociacion i cili është në pajtim të plotë me kushtetutën e vendit.

“SHBA-ja nuk thrret për asgjë tjetër përveç se për respektimin e kushtetutës dhe themelimin e një asociacioni që nuk do ta rrënonte sistemin kushtetues dhe politik të vendit”, thotë ai.

Sipas Imerit, Kryeministri Kurti e ka të qartë nga SHBA-ja se Kosova është shtet unik dhe i pandashëm, ku sistemi i saj politik nuk mund të rrënohet.

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier para disa ditëve ka deklaruar se shteti amerikan beson që Kosova duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Ai shtoi se Kosova e ka të drejtën e plotë të vendos për formimin e Asociacionit.

Ai bëri të ditur se angazhimi i SHBA-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është intensive dhe se në këtë proces, Amerika nuk e sheh të diskutueshme çështjen e sovranitetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti disa ditë më parë mori një letër nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken i cili i ka kërkuar Kurtit që të arrijnë një marrëveshje me Serbinë që sipas SHBA-ve është e vonuar.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, kishte shkruar në letër Sekretari Blinken.

Madje, Blinken e kishte porositur Kurtin që të bashkëpunoj ngushtë me emisarin, Gabriel Escobar dhe ambasadorin e ri të SHBA-së, Jeff Hovenier.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, thuhet në letrën së Sekretarit të Shtetit, Antony S. Blinken dërguar Kryeministrit Kurti.

Ndryshe, për parimet që e rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Marrëveshjen e parë të Brukselit, gjashtë pikat e para i referohen  Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Gazeta Enigma/.

Related Articles