LDK dhe PDK kundër shtrenjtimit të rrymës, por s’marrin pjesë në protesta për ta kundërshtuar

LDK dhe PDK kundër shtrenjtimit të rrymës, por s’marrin pjesë në protesta për ta kundërshtuar

Thellimi i krizës energjetike në Kosovë dhe propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike shkaktoi shumë pakënaqësi në vend, ku si pasoj e saj u paralajmëruan protesta nga shoqëria civile dhe partitë opozitare shkruan Gazeta Enigma.

Të mërkurën më 26 janar u protestua kundër vendimit të marrë nga ZRrE për mos ngritje të çmimit në katër komunat e veriut, protestë e organizuar nga një grup qytetarësh.

Të shtunën nga ora 14:00 në Prishtinë,  pritet të mbahet protesta e dytë kundër shtrenjtimit të rrymës, e cila do të organizohet nga Partia Socialdemokrate.

E lidhur me këtë se a do të jenë pjesë e këtij organizimi, partitë opozitare kanë shprehur qëndrimin e tyre.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga LDK-ja, Valentina Bunjaku – Rexhepi ka treguar se partia e saj nuk është kundër kësaj proteste dhe e përkrahin atë.

Ajo ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në këtë protestë.

“Ne kemi deklaruar që nuk jemi kundër protestës, e përkrahim protestën por se a do të marrim pjesë të shtunën, unë si deputete jo”, ka deklaruar ajo për Gazetën Enigma.

Sipas saj, mos pjesëmarrja në votim nga deputetët e VV-së e pamundësoi miratimin e rezolutës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Unë mendimin tim e kam thënë në parlament për shtrenjtim të rrymës, ku e kemi pas edhe një rezolutë që kemi votuar kundër shtrenjtimit të rrymës por Vetëvendosja nuk ka marrë pjesë në votim, andaj edhe u bë i pamundur votimi”, përfundon deputetja e LDK-së.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi

Gjithashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

 “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës.Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat antiCOVID”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në protestën kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila organizohet këtë të shtunë nga PSD-ja.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Në anën tjetër, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj deklaroi se ka biseduar me partitë opozitare për organizimin e protestës kundër tarifave të reja të rrymës.

 “Propozimin e ZRrE-së nuk e mbështesin as deputetët e partive në pushtet por që nuk shprehen publikisht për një gjë të tillë. Këtë e bazoj nga takimet e shumta që kam pasur ditëve të fundit me qytetarë, gazetarë e analistë. Sigurisht se ata nuk mund të shprehen për shkak të funksionimit të LVV-së”, tha ai.

LEXO EDHE: “Jam takuar me Abdixhikun e Çitakun dhe kam folur me Haradinajn për protesta”

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kËh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%./Gazeta Enigma/

Related Articles