Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nga e hëna është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.
Begaj gjatë kësaj vizite u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Konjufca dhe me disa nga krerët e partive politike opozitare në vend.
Presidenti shqiptar nuk u tregua zemër gjerë me të gjithë, partia më e madhe opozitare në vend LDK-ja, u refuzua për takim nga Begaj.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Hazirin, i cili tha se takimi me presidentin shqiptar nuk u mbajt vetëm për çështje protokollare.
Tutje ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, presidentit Begaj i ka uruar mandat të mbarë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar përmes zyrës së saj, ne i kemi uruar mandat të mbarë dhe të gjitha të mirat presidentit shqiptar”, tha Haziri për Enigmën.
“Fatkeqësisht për çështje protokollare nuk është mbërri deri në një takim sot, por asgjë tjetër mbrapa saj nuk ka”, ka theksuar ai.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka disa fjalë për kritikat për mos takimin me presidentin Begaj
Deklarata pro e kundër pati për mos takimin e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, derisa ky i fundit nuk shkoi në zyrat e partisë, njofton Gazeta Enigma.
Pas gjithë këtyre kritikave u bë I zëshëm Besian Mustafa, deputet nga kjo parti.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se pushteti nuk e zëvendëson traditën themeltare.
”Nuk zëvendëson pushteti traditën themeltare. Kaq për të sotmen”, ka shkruar Mustafa.
Hyseni: Lumir Abdixhiku me krekosjen e tij shkaktoi një skandal politik
Skender Hyseni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të parit të LDK-së.
Hyseni për këtë çështje ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, thuhet në njoftimet e medias”, thuhet në postimin e tij.
“Ndërkohë që thuhet po ashtu se “Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paska refuzuar takimin me presidentin Bajram Begaj, duke mos respektuar ftesën e presidentit për t’u takuar në selinë e Kuvendit””, ka shkruar hyseni.
Tutje ai thekson se “pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të parit të LDK-së”.
Sipas Hysenit, Abdixhiku me krekosjen e tij paska shkaktuar një skandal politik, tërësisht të panevojshëm.
“Pa dashur të futem në detajet e protokollit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare”, ka deklaruar Hyseni.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës është seli, e përtej selie e çdo partie politike parlamentare në Kosovë”, tha ai.
Hyseni shkrimin e tij e ka mbyllur me disa pyetje për bashkpartiakun e tij Abdixhikun.
“Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë poaq “i madh”, me rastin e vizitës së Presidentit të Malit të Zi të cilin, me 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës por në hotelin Swiss Diamond???!!!”, ka përfunduar ai.
Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj kërkoi që me opozitarët të takohet në kuvend, por LDK s’i shkoi në takim
Pra Kuvendi është vendi ku kryetari i Shqipërisë kërkoi të takojë opozitarët.
Qefin nuk ia prishi kryeopozitari Memli Krasniqi, që u shfaq i pari në vendtakim.
Njëjtë veproi edhe Ramush Haradinaj.
Por, si Haradinaj e Krasniqi nuk veproi edhe Abdixhiku i LDK-së.
Ky i fundit nuk i shkoi në takim Begajt në kuvend, me arsyetimin se për takime të tilla LDK-ja janë të hapur t’i kryejnë në selinë e partisë.
Kujtojmë se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar dy ditë për vizitë në Kosovë.
/Gazeta Enigma/