Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur ta nisë fushatën elektorale sot, duke nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Eugen Cakolli nga KDI thekson se kjo është ‘risi organizative’, duke theksuar se hapja e fushatës nga Vetëvendosje bëhet për shkak se periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht.
Rrjedhimisht, Cakolli thotë se Vetëvendosje nuk mund as të mbikëkqyret e KQZ-ja dhe PZAP-ja s’mund të shqiptojnë gjoba për shkeljet eventuale.
“Nuk ka qenë praktikë deri më tani që tubimet hapëse të mbahen para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Këtë vit, një tubim i tillë po u zhvilloka nga Lëvizja Vetëvendosje. Më shumë sesa për ndonjë risi organizative, kjo lidhet me faktin se periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht – si në aspektin e gjuhës së përdorur, ashtu edhe të shpenzimeve apo të kufizimeve të tjera. Fushata zyrtare nis nesër, më 13 shtator, dhe deri atëherë çdo aktivitet politik zhvillohet jashtë çdo përgjegjësie ligjore. Kjo do të thotë se, për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”, ka shkruar Cakolli.
Se sot nisë fushata e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka.
“Sot, më 12 shtator, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të hapë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Aktiviteti fillon në orën 17:00 në sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’ për të vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu” në orën 19:00”, njoftoi ai.