Shtabi komunal për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike në Malishevë, i cili drejtohet nga drejtori i shëndetësisë, Hajdin Berisha, sot ka mbajtur një takim pune, ku është shqyrtuar situata endemike me ethet hemorragjike.
Komuna e Malishevës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me këto ethe.
Në takimin e mbajtur është bërë e ditur se në QKMF në Malishevë, është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për trajtimin e rasteve të thumbimit nga rriqrat.
“Në këtë takim të shtabit komunal, u paraqit edhe shqetësimi i përbashkët i problemit të dezinsektimit të zonave endemike, procedurë e cila është filluar nga ana e Komunës së Malishevës, mirëpo lënda ka mbetur e pa trajtuar nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit në nivel qendrorë dhe si pasojë, deri më tani është pamundësuar dezinsektimi i zonave endemike”, thuhet në njoftimin e komunës.
Komuna e Malishevës, ndër të tjera pati edhe një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Po ashtu problem tjetër është edhe mos realizimi i masës së repelimit të kafshëve, si njëra nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e EHKK, e cila do të duhej të realizohej nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Shtabi Komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, ka kërkuar nga ana e nivelit qendrorë, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, si drejtuese e Këshillit Ndërministror, pastaj nga Ministria e Bujqësisë dhe AUV, që urgjentisht të zbatojnë strategjinë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK dhe të bëjnë dezinsektimin e zonave endemike dhe repelimin e kafshëve”, thuhet tutje në njoftimin e komunës së Malishevës./Gazeta Enigma/