Maloku në Hagë: Është vështirë me e kuptu një ushtri si UÇK-ja, që ngritet prej një populli të robnum, një ushtri vullnetare

Maloku në Hagë: Është vështirë me e kuptu një ushtri si UÇK-ja, që ngritet prej një populli të robnum, një ushtri vullnetare


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Naim Maloku deklaroi se është e veshtirë që të kuptohet funksionimi i një “Ushtrie që është ngritur nga populli i robëruar siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Këtë deklarim, Maloku e bëri të mërkurën në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Është vështirë me e kuptu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është vështirë me e kuptu një Ushtri që ngritet prej një populli të robnum, në ushtri vullnetare, në ushtri të rregullt. Kjo ka qenë që na ka ba bashkë, qëllimi jonë për çlirimin e Kosovës”, tha Maloku duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.

Kur u pyet për Mensur Kosumin, Maloku tha se nuk e ka ditur që personi në fjalë ka qenë shef i zbulimit.

“Me tregu të drejtën, për pozitën e tij që e ka pasur si shef zbulimi nuk e kam ditë”, tha Maloku, raporton Betimi për Drejtësi.

Dëshmitari, të martën, për Prokurorinë ka thënë se Faton Mehmetaj ka qenë epror i Sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën e Dukagjinit.

“Në ato njësi ku kam qenë, në ato takime dhe ato inspektime që i kam bërë, unë nuk e kam pa atë kurrë që të marrë pjesë. Ai ka pas punë tjetër… nuk kam has kurrrkund me punët që ka pas Faton Mehmetaj, nuk ka pas pikë-kryqëzim askund”, tha Maloku për Mehmetajn.

Dëshmitarit iu prezanua deklarata e Faton Mehmetajt për ZPS-në, ku kishte thënë se detyrën si udhëheqës në sektorin e ZKZ-së e ka mbajtur vetëm dy muaj dhe në këtë pozitë pas tij erdhi një person tjetër.

Po ashtu, atij iu prezantua një dokument që thuhej se është lëshuar nga sektori i ZKZ-së, por që dëshmitari tha se nuk e di se kush është autori.

Sipas Dixon, ky dokument përmbante informacione për punën dhe veprimtarinë e Malokut, gjë për të cilën ky i fundit tha se e ka parë për herë të parë këtë material në Hagë.

Malokut më pas iu prezantua procesverbali i një mbledhjeje të 30 janarit 1999, ku ishte pjesëmarrës një person me emrin Lulzim Morina, për të cilin dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse ai ishte bërë komandant i Brigadës 135.

Ai tha se emërimi i Morinës në këtë Brigadë mund të jetë bërë pas muajit maj të 1999-ës.

Dokumenti i radhës që iu shfaq dëshmitarit, ishte një urdhëresë e 22 marsit 1999, e nënshkruar nga Lulzim Morina si komandant i Brigadës në fjalë. Maloku tha se nuk e njeh nënshkrimin e tij, por që sipas tij, dokumenti s’ka asnjë shenjë që është i Zonës Operative të Dukagjinit.

Atij iu prezantua një dokument tjetër ku thuhej që Morina ishte komandant brigade, por që dëshmitari sërish tha se nuk e ka ditur që në atë periudhë ishte një emërim i tillë. Ndërsa, për më vonë, ka mundur të ndodhë.

“Nuk shoh shenjë që ky dokument është dokument zyrtar i Zonës Operative të Dukagjinit. Zakonisht dokumentacionin e Zonës Operative të Dukagjinit e mbante Emrush Xhemajli. Këtu nuk e shoh ansjë shenjë që ky dokument është i Zonës Operative të Dukagjinit. Data këtu, në atë periudhë unë nuk e kam njoftë që ai ka qenë komandant brigade”, tha Maloku.

Me kaq, përfundoi pyetjet mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Kujtojmë se të martën, dëshmitari u mor në pyetje përveç nga Prokuroria, edhe nga mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.



Related Articles