Maqedonci tregon se çka përmban marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe SHBA-së

Maqedonci tregon se çka përmban marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe SHBA-së

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një deklaratë pë media ka thënë se rëndësia e kësaj marrëveshje e cila u nënshkrua më 13 maj mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, lidhet me ndërveprueshmërinë dhe sigurinë në komunikim dhe aspektin kibernetik, raporton Gazeta “Enigma”.

Tutje Maqedonci ka theksuar se kjo marrëveshje është vazhdim i një bashkëpunimi të mëhershëm të formalizuar në vitin 2023 nga kryeministri Albin Kurti dhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

“Është një produkt i një marrëveshje të mëparshme të nënshkruar nga Albin Kurti dhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë Hovenier në vitin 2023. Por marrëveshja e tanishme e nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-ve, ka rëndësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit me Amerikën sidomos në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë sepse adreson disa çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e informacionit”.

“Informacionet janë sensitive, siç janë sistemet amerikane që do përdoren në forcën e sigurisë së Kosovës sepse dihet që Kosova partnerin e saj kryesor për blerjet ushtarake e ka ShBA-në”, tha Maqedonci për Euronews.

Kujtojmë se Kosova është shteti i 33-të që nënshkruan një marrëveshje të tillë me SHBA-në, çka sipas Maqedoncit tregon për besimin dhe nivelin e avancuar të partneritetit ndërmjet dy vendeve, sidomos në sfera kyçe si teknologjia ushtarake dhe mbrojtja kibernetike. /Gazeta Enigma/

Related Articles