Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka kritikuar mos prezencën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në Kuvend, në kohën kur siç ka thënë ai bëhet fjalë për një investim në shëndetësi, raporton Gazeta “Enigma”.
“Është shqetësues për ne që një marrëveshje që ka për qëllim investimin në shëndetësi nuk e ka interesin e ministrit të Shëndetësisë, nuk e ka gjet kohën të vijë. Marrëveshja me qeverinë e Luksemburgut është nënshkruar shumë herët. As nuk na prezantuan sa është vlera e marrëveshjes për sa po rritet kostoja dhe pse me këtë marrëveshje po ndryshohen disa nene të marrëveshjes paraparake. Tregona cili është fokusi i kësaj marrëveshjeje që ka vlere 6 milionë e 200 mijë euro. Shëndetësia jonë ka nevojë për trajnim të stafit e pajisje mjekësore e këtu nuk e kemi të precizuar saktë se ku do shkojnë këto mjete. Derisa ministri nuk është këtu nuk keni pse kërkoni mbështetjen e opozitës”, është shprehur Haxhiu.
Lidhur me reagimin e Haxhiut, ka dhënè sqarime ministri i Financave Hekuran Murati.
“Po bëhet e qartë se fillimisht po përcaktohet mos votimi e pastaj po kërkojnë arsye. Një arsye është borxhi publik, nuk kemi të bëjmë me kredi por me bashkëfinancim. Argumenti se pse po rritet borxhi publik është pretekst për mos me votua. Sa i përket ngritjes së paraleleve me ne kur kemi qenë në opozitë, ne e kemi votua çdo marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me pandemie” ka thënë Murati.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka vazhduar të kritikojë qeverinë për këtë marrëveshje duke kërkuar sqarime shtesë.
“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë të njëjta, në parim jam me i përkrahë, por në disa prej tyre kërkojmë sqarime. Në marrëveshjen që po e diskutojmë, duam të dimë se për çka do të përdoren. Nuk është shumë me na dhanë sqarime, me u ulë me bisedu me opozitën e me lypë përkrahjen e tyre. Unë po shoh se disa ministra me i disiplinu, nuk po i referohem Muratit, por disa të tjerë që nuk e dinë peshën e të qenit në institucion, përderisa kanë këtë sjellje këtë mosdije” ka thënë Hamza.
Pas këtij debati, Kuvendi ka dështuar sërish ta miratojë këtë marrëveshje.
Në sallë janë vetëm 70 deputetë duke marrë pjesë në votim, dhe kjo bërë të mos ketë kuorum për vendimmarrje.