I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh. Ai ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore, shkruan Gazeta Enigma.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula, komentoi për Gazetën Enigma deklaratën e fundit të Escobarit rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas tij përmbyllja e procesit të dialogut nuk është me nguti për shkak që të mos ripërsëriten gabime të ndryshme.
“Përmbyllja e procesit nuk është e as nuk duhet të jetë me nguti, me të vetmin qëllim, për të mos ripërsërit gabime të caktuara, dhe për të shmang pasojat eventuale për të ardhmen e vendit. Natyrisht, kjo temë, është delikate aq sa afatet kohore janë problematike e kur dihet qasja dhe pretendimet e shtetit fqinjë”, deklaroi Pula.
Pula theksoi se i dërguari i posaqëm i ShBA-së, Gabriel Escobar ka përcjellur një porosi të qartë lidhur me procesin dhe kërkesat të cilat ndikojnë në përmbylljen e dialogut Kosovë – Serbi.
“I dërguari i ShBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, zotëri Escobar, si përfaqësues i një shteti mik e aleat i vendit, natyrisht ka përcjell porosi të qarta mbi ecurinë e procesit si dhe kërkesat mbi temat të cilat duhet adresuar për përmbyllje”, theksoi Pula.
Ndër të tjera, Pula potencoi se po kërkohet përshpejtim i një marrëveshjeje Kosovë – Serbi, me ç’rast duhet të tregohet kujdes për të mos humbur qëllimin e procesit në tërësi.
“Përtej kësaj edhe kërkesa mbi afatet kohore të cilat kërkohet përshpejtim, natyrisht duhet pasur kujdes për të mos humbur substancën e qëllimit të procesit në tërësi”, u shpreh Pula.
Analisti politik, Ylli Hoxha tha se vizita e Escobarit kësaj radhe nuk është e rëndomtë, por ka diçka më të madhe.
“E para është cilat do të jenë kërkesat për Serbinë dhe kërkesat për ne. Te Serbia janë dy probleme. A ka ajo gatishmëri që të trajtojë çështjen e Kosovës me seriozitet dhe a do t’i vendos sanksione ajo Rusisë”.
“Nëse këto zgjidhen në Beograd, Kosova duhet të jetë shumë më e gatshme që është sot për të pranuar opsionet që do të na jepen. Do të kemi sfidë që do të arrijmë njohjen. Në dokumente kemi parë që njohja nuk është opsion, por vetëm modeli i dy gjermanive”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij vetëm anëtarësimi në NATO na jep garancinë që Serbia pa njohje nuk na sulmon.
“Me anëtarësimin në NATO humb relevanca e njohjes nga Serbia”, deklaroi tutje Hoxha.
Ish-deputeti, Visar Ymeri ka thënë se vetë vizita e emisarit Escobar është mesazh.
Sipas tij, as Lajçak dhe as Escobar, nuk vijnë në Prishtinë e Beograd nëse nuk ka ndonjë zhvillim.
“Dhe tani duket se ka lëvizja, por se cila është ajo, është vështirë të gjendet”, tha Ymeri.
Ai shton se Kurti deri më tani ka pasur frikë të deklarohet për mundësinë e marrëveshjes së shpejt nga frika se do të gjykohet nga publiku.
“Opozita duhet të pranojë bashkëpunimin me opozitën për marrëveshjen finale, por edhe Kurti duhet të jetë i sinqertë në ofrimin e këtij bashkëpunimi. Deri më tani Qeveria e Kosovës nuk e ka përgatitur popullin për marrëveshjen që po vjen, ajo vetëm se ka rritur pritjet e tyre”, përfundoi Ymeri.
Ndërkohë që i dërguari special i ShBA-së, Gabriel Escobar ditën e djeshme është pritur në Prishtinë nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Ndërsa sot diplomati amerikan ka mbërritur në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq dhe me dejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq./GAZETAENIGMA/