Të shtunën më 9 tetor janë varrosur eshtrat e nëntë martirëve të masakrës së Rezallës, të cilët janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.
Ceremonia e rivarrimit u mbajt në Kompleksin e varrezave të martirëve në Rezallë të Skenderajt.
Në këtë ceremoni të rivarrimit përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe krerët shtetërorë dhe komunal, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari si dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbajtjes së fjalimit të tij ka theksuar se e vërteta nuk mund të groposet e të mbulohet në varreza masive.
Gjithashtu edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, e ka cilësuar si njëra ndër masakrat më të pamëshirshme të kryer nga policia dhe ushtria serbe.
Sipas Jasharit, këto masakra dhe këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit.
Kujtojmë se më 30 shtator kanë arritur në Kosovë eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës.
Ndërsa, me urdhër të prokurorisë janë duke u hulumtuar disa lokacione në Kosovë.
Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës kanë bërë të ditur se do të fillojnë gërmimet për varreza masive në disa lokacione të ndryshme në Kosovë.
Në fshatin Dreth (Dren) të Zubin Potokut, gërmimet kanë filluar më 26 gusht mirëpo ekipet ende nuk kanë gjetur asgjë.
Po ashtu, gërmime në kërkim të varrezave masive pritet të fillojnë edhe në Koshare, në Prizren, Suharekë dhe në Podujevë.
Kurse, gjatë këtij viti janë identifikuar 21 mbetje mortore, prej tyre 19 trupa shqiptarë dhe 2 serbë.
Çfarë u diskutua në Samitin në Brdo të Sllovenisë mes liderëve të Bashkimit Europian dhe krerëve të Ballkanit Perëndimor
Të mërkurën, më 6 tetor në Samitin e Sllovenisë u takuan liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, ku ndër të tjerash fokusi ishe forcimi i marrëdhënieve midis shteteve të këtij rajoni, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.
Pjesëmarrëse në këtë samit ishte edhe shteti i Kosovës, i përfaqësuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, për herë të parë ka vendosur që të marrë pjesë në një tryezë ku është i pranishëm edhe përfaqësuesi i Republikës së Kosovës.
Megjithatë për këtë Spanja kishte pasur një kusht, duke kërkuar që në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Slloveni të mos ketë simbole shtetërore.
Për këtë çështje Sanchez ka folur nga Brdo, teksa arsyetoi vendimin për të marrë pjesë në Samit duke thënë se Spanja si shtet duhet marrë pjesë në çdo organizim e samit.
Spanja vazhdon të jetë një nga shtetet që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës bashkë me Sllovakinë, Qipron, Greqinë dhe Rumania.
E në mesin e takimeve që pati, kryeministri Kurti në Brdo të Sllovenisë u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku të pranishëm ishin edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Në një bisedë me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron & Presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave”, kishte shkruar Kurti në Twitter pas takimit.
Ndërsa Vuçiq, deklaroi se “do të vazhdojmë dialogun, dhe tema e parë duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO)”.
E në anën tjetër përfaqësuesi i Lartë i BE -së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell tha të mërkurën në Brdo se Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë dialogun dhe “të lënë mënjanë dallimet”.
Ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë më shumë drejt marrëveshjes përfundimtare.
Çka u tha për vizat e kosovarëve në Slloveni?
Në kuadër të shumë çështjeve, temë diskutimi e Samitit slloven ishte edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Kurti para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian me udhëheqësit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor u tregua ‘i ashpër’ me BE-në.
Ai theksoi se kanë kaluar tri vjet prej kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Është një padrejtësi e madhe dhe mungesë e trajtimit të drejtë të qytetarëve që kjo nuk ka ndodhur ende”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në samitin e BE-së në Brdo të Sllovenisë, ka kritikuar udhëheqësit evropian për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai gjatë fjalimit të tij ka thënë se pavarësisht se BE ka deklaruar publikisht se Kosova ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave, një gjë e tillë ende nuk po ndodh.
Theksojmë se disa ditë para se të filloj Samiti i BE-së, qindra qytetarë nga Ballkani Perëndimor kanë nënshkruar një peticion që u bën thirrje qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të veprojnë me shpejtësi në heqjen e regjimeve të vizave dhe mundësimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë brenda rajonit dhe në të gjithë zonën Shengen.
Çka po ndodh në Hagë?
Ndërkohë në një shtet tjetër evropian, po mbahen ende nën grila ish krerët e UÇK-së. Në Hagë Gjykata Speciale ka vazhduar gjatë gjithë javës dëgjimin e rrëfimeve të dëshmitarëve.
Po ashtu, të enjten ka nisur gjykimi në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim HaradinajHysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Të dy, janë deklaruar të pafajshëm kur janë pyetur nga kryetari i trupit gjykues
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, përpara se t’i përgjigjej pyetjeve të rëndomta të kryetarit të trupit gjykues, shprehu dëshirën për të lexuar diçka. Por, kryetari i trupit gjykues nuk e la, duke i thënë të përgjigjej në pyetjet e shtruara, sepse, “do të ketë kohë më pas për gjërat e tjera”.
“Para se të deklarohem, do të kisha pasur dëshirë të mi jepni dy minuta kohë për të lexuar diçka për biografinë time”, tha Gucati.
Kur u pyet për ta konfirmuar deklarimin e tij rreth fajësisë për akuzat e paraqitura, Gucati pohoi për ta konfirmuar deklarimin e tij si i pafajshëm në paraqitjen e parë të tij para kësaj gjykate.
“I pafajshëm jam plotësisht”, tha edhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Ndërkohë, në media u raportua se Policia e Kosovës nuk dha garanci të mjaftueshme për mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së në Hagë.
Policia e Kosovës është shprehur e gatshme të zbatojë urdhrat nga Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë, gjithmonë nëse një gjë e tillë i kërkohet.
“Pjesë e detyrave dhe e funksionimit tonë të rregullt, është mbikqyrja e implementimit të kushteve të vendosura për lirimin e përkohshem të personave të akuzuar, në pritje të procesit gjyqësor”, thuhej në përgjigjjen e PK-së./Gazeta Enigma/.