Këtë të shtunë një numër i madh udhëtarësh janë kthyer në doganën e Morinës duke mos u lejuar të futen në Kosovë për shkak të rregullave të reja të aplikuara nga qeveria atje në kuadër të masave kundër koronavirusit.
Gazetari i ABC raporton nga Morina se numri i të kthyerve është i madh, ndërsa masat kanë hyrë në fuqi sot duke bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të mos jenë në dijeni.
“Unë vaksinën e dytë e kam bërë sëfundmi dhe sipas rregullit s’mund të bëj vaksinë tjetër tani, të paktën deri në mars. Këta më kërkojnë vaksinë të tretë ose PCR. Për të bërë test PCR duhet që të shkosh të paguash 30 euro”, tha një qytetar për ABC.
LEXO EDHE: Këto janë masat e reja anti-COVID që hyjnë në fuqi nga sot
Një shofer furgoni që transporton udhëtarë u shpreh se nuk kishte qenë në dijeni të këtij rregulli të vendosur nga qeveria e Kosovës.
“Unë i kam të gjithë udhëtarët me nga dy vaksina. Tani na kërkojnë edhe PCR ose vaksinën e tretë. Nuk isha në dijëni të një urdhri të tillë që thonë se ka hyrë në fuqi mbrëmë”, tregon ai duke shtuar se ishin nisur për të vizituar një zonë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës vendosi masa të reja kundër koronavirusit ditën e djeshme duke limituar numrin e udhëtarëve që futen atje. Masat po ashtu prekin edhe aktivitetin e bareve dhe restoranteve./Gazeta Enigma/