Me vite të tëra kishin punuar në Itali dhe i kishin vënë vetës një synim, ndërtimin e një shtëpie në Kosovë.
Por, për të përmbushur synimet e tyre, çifti kosovar vendosi të marrë një kredi.
Mes shumë ofertash, ata panë në rrjetin social facebook, mes shume reklamash, një faqe që thirrej Kredi Personale dhe kredia që ofrohej ishte me çmime të volitshme.
Ata kontaktuan me këtë faqe dhe pasi ua ofruan dokumentet, të cilat ishin të nevojshme për të marrë kredinë, nisen edhe procedurat për marrjen e kredisë, vlera e së cilës ishte 50 mijë euro.
Pa e kuptuar se kishin rënë pre e mashtrimit, burrë e grua filluan të paguanin pagesën e parë që faqja Kredi Personale u kishte kërkuar, që ishte shuma prej 200 euro. Kushti ishte që menjëherë pas dëshmimit të pagesës, në llogarinë e çiftit do të transferoheshin 50 mijë eurot e kërkuara.
Madje kredidhënësi për t’i bindur se nuk është mashtrim, nga gjoja “drejtori” i “Bankës Popullore”, ua dërgon një foto, ku pretendohej se po dëshmohej se 36 për qind e shumës së kredisë ishte duke u transferuar.
Pas kësaj dëshmie, “drejtori” i bankës kërkoi serish të holla, tash kërkonte 500 euro të tjera, me arsyetimin e tij se kjo shumë do të deponohet bashkë me vlerën e kredisë që iu bie se çifti për pak orë do të kishte 50.500 euro në llogarinë e tyre.
Pasi paguan edhe 500 euro, prapë iu kërkuan para. Megjithëse kësaj radhe ua kërkuan edhe 1500 euro të tjera dhe tashme kërkesa nuk vinte nga drejtori, por nga dikush tjetër.
Pagesa e tretë iu tha se do të behej vetëm për të siguruar kredinë.
“Unë jua jap fjalën time. Ju duhet të paguani shpenzimet e sigurimit në mënyrë që të mund të tërhiqni shpejt 50.500 euro. Pres të jua dërgoj adresën në të cilën do të bëni pagesën e 1500 eurove, në mënyrë që të mund t’i tërhiqni shpejt 50.500 eurot tani”.
Por çifti filloi të dyshojë dhe refuzuan disa herë ta paguanin pagesën e tretë.
E ndodhur përballë këtij refuzimi, punëtorja e “Bankës Popullore”, ua përgjysmoi shumën, duke ua kërkuar vetëm 750 euro, me kushtin që 750 eurot e tjera do t’i paguanin pasi ta merrnin kredinë.
“Unë e di se sa shpesh keni nevojë për fondet e tij. Unë jam një grua si ju. Dhe unë ju jap fjalën time që pasi të jetë bërë pagesa e 750 eurove, ju do të tërhiqni automatikisht 50.500 euro. Por pas tërheqjes së 750 eurove, do të duhet të m’i ktheni 750 eurot e mbetura”.
Por, pas kësaj pagese, drejtori e punëtorja e Bankës u zhdukën.
Çifti nga Kosova humbi 1,450 euro në përpjekje për të marrë kredinë e madhe për shtëpinë në vlerën e 50 mijë eurove.
E vetmja qe u ka mbetur nga ky tentim kredimarrje janë dokument që u ishin dërguar atyre përmes whats up, në mesin e të cilëve figuron emri i një shqiptareje nga Shqipëria, Monika Sojli.