Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar për vizitë në Republikën e Panamasë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Presidentja Osmani përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka njoftuar se sot është pritur nga presidenti I Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen.
“Sot, me nderime shtetërore, u prita nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo ka shtuar se mbështetja e aleatëve si Panamaja është vendimtare për pozitën tonë ndërkombëtare.
“Përkrahja për Kosovën nuk ka munguar në asnjë kënd të botës, prandaj mbështetja e aleatëve tanë si Panamaja është vendimtare për forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare. E falënderova presidentin Cortizo për mbështetjen e palëkundur, e cila i ka themelet në vlerat tona të përbashkëta demokratike”, thuhet në njoftimin e saj.
“Përgjatë takimit, ndër të tjera diskutuam hapat e mëtejmë për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën, ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thksuar Osmani. /Gazeta Enigma/