Mbeturinat e ndërtimit në hijen e zhvillimit urban të Kosovës

Mbeturinat e ndërtimit në hijen e zhvillimit urban të Kosovës

Nga rrënojat e ndërtesave të vjetra deri te mbetjet e projekteve të reja, mijëra ton mbeturina ndërtimore dhe inerte prodhohen çdo vit në Kosovë. Një pjesë përfundon në deponi të autorizuara, por një sasi e konsiderueshme hidhet në mënyrë të paligjshme në lumenj, fusha, rrugë dytësore dhe hapësira të tjera publike, duke dëmtuar mjedisin dhe peizazhin. Gazeta ka dokumentuar 15 lokacione të paautorizuara me mbeturina interte përreth Kosovës

Arlinda Kqiku

Në një ditë të nxehtë korriku, një shtëllungë e dendur tymi mbuloi lagjen e njohur si “Lagjja e Muhaxherëve” në Prishtinë. Pranë një objekti shumëkatësh ende në ndërtim, persona të panjohur dyshohet se dogjën mbetje të përziera nga aktivitetet ndërtimore. Pamjet e inqizuara nga banorët tregojnë tymin që përhapej drejt shtëpive përreth, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk vërehej prania e Policisë.

Kur gazeta e pyeti Policinë e Kosovës nëse rasti në “Lagjen e Muhaxherëve” ishte hetuar, institucioni u përgjigj se “nuk ishte pranuar asnjë raportim”. Komuna e Prishtinës deklaroi se çështja nuk binte në kompetencën e saj dhe e përcolli kërkesën tek departamenti përkatës për inspektim.

Por ky nuk ishte vetëm një incident lokal. Ky hulumtim tregon se Kosova ende nuk ka një sistem funksional për menaxhimin e mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit: në 17 nga 38 komunat mungojnë lokacionet e përcaktuara për këtë kategori, institucionet nuk kanë një data bazë kombëtare për gjurmimin e tyre, ndërsa qindra deponi ilegale vazhdojnë të evidentohen çdo vit. 

Hulumtimi tregon se mungesa e një sistemi të unifikuar krijon boshllëqe në përgjegjësi, ku komunat, institucionet e inspektimit dhe operatorët nuk arrijnë të sigurojnë një zinxhir të plotë nga kantieri deri te destinacioni përfundimtar i mbeturinave të ndërtimit.

Institucionet kosovare dhe përfaqësuesit e sektorit pranojnë se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme, ndërsa riciklimi dhe ripërdorimi i materialeve të ndërtimit mbeten pothuajse në pikën zero.

Sipas Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Kosovës, vendi gjeneron rreth 620 mijë metra kub mbeturina ndërtimore dhe inerte në vit, ekuivalente me afërsisht 515 mijë ton, pa përfshirë dheun nga gërmimet dhe mbeturinat nga punët publike. Rreth 60 për qind e kësaj sasie prodhohet vetëm në rajonin e Prishtinës, ku ritmi i ndërtimit mbetet më i larti në vend. Ndonëse ndërtimet në kryeqytet kanë “lulëzuar” vitet e fundit, infrastruktura për menaxhimin e mbetjeve që ato prodhojnë ka mbetur pas. Vetëm në vitin 2026 Komuna e Prishtinës përcaktoi një lokacion për deponimin e mbeturinave inerte.

Gazeta dokumentoi 15 lokacione të paautorizuara në rajonet e Prishtinës, Gjilanit, Graçanicës, dhe Novobërdës, ku mbetjet e ndërtimit shihen se janë hedhur ilegalisht në hapësira publike, pranë tokave bujqësore dhe burimeve të ujit. Në disa prej tyre u gjetën mbetje betoni, tulla dhe materiale të tjera ndërtimore të hedhura në hapësira që nuk janë të destinuara për këtë qëllim. Lokacionet u identifikuan përmes raportimeve të qytetarëve dhe verifikimit në terren gjatë muajve korrik–gusht 2026. 


“Bunari është mbuluar me bërllog, nuk mundem me pi ujë”

Në Lagjen e Rovinarëve në Komunën e Novobërdës mbeturinat nuk janë vetëm një problem i peizazhit. Banorët thonë se ato janë hedhur pranë tokave bujqësore dhe burimeve të ujit që përdorin për nevojat e përditshme.

Hetem Miftari, rreth të 60-tave nga Lagjja e Rovinarëve në Komunën e Novobërdës, thotë se mbeturinat ndodhen më pak se një kilometër nga shtëpitë e dhjetëra banorëve të zonës.

Sipas tij, në zonën e njohur si “Përroi i Keq”, ndodhen rreth tetë bunare. “Unë as nuk muj me pi ujë nga bunari. Nuk i kam kushtet me ble ujë, po më duhet me ble, se bunarin e kam të mbulum me mbeturina”, thotë ai.

Miftari thotë se për rastin ka njoftuar edhe inspektorët dhe u ka dërguar fotografi të lokacionit, por, sipas tij, nuk ka parë rezultat.

“Çdo ditë këtu e shoh ka nji kamion duke hedh mbeturina të ndërtimit dhe të tjera. Nuk merr masa kërkush. Problemi është që kjo ka vazhduar këtu qe 10 vjet”, thotë Miftari.

Gazeta ka kontaktuar Komunën e Novobërdës lidhur me këtë zonë me mbeturina, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. 



Foto nga “Përroi i keq”, Komuna e Novobërdës, data: 20.08.2026

Deponitë ekzistojnë, por nuk e përballojnë valën e ndërtimit

Përveç mungesës së lokacioneve të përcaktuara nga disa komuna, një tjetër sfidë mbetet edhe kapaciteti i kufizuar i infrastrukturës ekzistuese për menaxhimin e mbeturinave nga ndërtimi.

Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) që menaxhon katër deponi rajonale sanitare – Mirash në Prishtinë, Dumnicë në Podujevë, Landovicë në Prizren dhe Velekincë në Gjilan – si dhe Stacionin e Transferit në Ferizaj pranon edhe mbetje inerte nga ndërtimi dhe demolomi.

Në përgjigjen dhënë gazetës nga KMDK theksohet se gjatë periudhës 2023-2025, në deponitë sanitare të menaxhuara nga kjo kompani janë regjistruar rreth 108,670 metra kub mbetje inerte nga ndërtimi dhe demolimi.

Kjo sasi përfaqëson vetëm materialin që ka arritur në deponitë e menaxhuara nga KMDK, ndërsa institucionet nuk kanë një pasqyrë të plotë për sasinë që përfundon në lokacione të paautorizuara.

Të dhënat theksojnë se vetëm një pjesë e mbetjeve të ndërtimit arrin në deponitë e menaxhuara nga KMDK. Institucionet nuk kanë një sistem kombëtar që gjurmon sasinë e mbeturinave që transportohen, riciklohen ose përfundojnë në lokacione të paautorizuara.

KMDK thekson se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për nevojat reale të sektorit të ndërtimit. “Kosova ka nevojë për më shumë infrastrukturë të dedikuar për menaxhimin e mbeturinave të ndërtimit dhe rrënimit, veçanërisht qendra riciklimi dhe hapësira të përcaktuara për trajtimin dhe depozitimin e tyre”, theksojnë nga KMDK.

Deponi po, riciklim jo

Komuna e Kamenicës ka përcaktuar dy lokacione për mbeturinat inerte që funksionojnë që nga viti 2024. Në hyrje të deponisë në fshatin Moqar, mbeturinat shihen anembanë rrugës. Ndonëse deponia është e destinuar për mbeturina inerte, aty më sa paku shihen kjo kategori e mbeturinave. Mbetje nga mobilet shtëpiake, pajisje shtëpiake, e qese plastike shihen përreth telave me të cilët rrethekohet deponia. I gjithë vendi mbanë erë të rëndë dhe qenët endacak sillen rreth e përçark.
Deponia për mbeturina inerte në fshatin Moçar, Kamenicë – Foto e realizuar më 31.08.2026



Komuna e Kamenicës thotë se nuk ka të dhëna të sakta për sasinë vjetore që të mbetjeve inerte, pasi në deponi përfundojnë edhe materiale të sjella nga qytetarë që nuk posedojnë leje rrënimi.

“Nuk kemi të dhëna të sakta, pasi në deponi nuk deponohen vetëm materialet ku lëshohet leja e rrënimit, por aty deponohen edhe mbeturina tjera inerte nga qytetarët të cilët nuk posedojnë leje”, theksojnë nga Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient, Inspektoratit dhe Emergjenca në Kamenicë.

Komuna ka evidentuar 11 raste të hedhjes së mbeturinave në vitin 2024 dhe 10 raste në vitin 2025, ndërsa në të njëjtat vite 2024 (11), 2025 (10) gjoba për ndotje të ambientit.

Kamenica aktualisht nuk i riciklon mbetjet e ndërtimit.

Edhe Komuna e Ferizajt thotë se ka një deponi funksionale në fshatin Dremjak–Llojzë, e cila menaxhohet nga K.R.M. “Pastërtia”.

Sipas komunës, gjatë vitit 2025, në kuadër të një projekti në bashkëpunim me MMPHI-në dhe K.R.M. “Pastërtia”, janë larguar 14,920 tonë mbeturina të përziera, ku përfshihen edhe mbeturinat inerte, nga lokacione të ndryshme në territorin e Ferizajt.

Komuna thotë se gjatë viteve 2025 dhe 2026 janë shqiptuar 72 gjoba ndaj hedhësve të mbeturinave.

As Komuna e Ferizajt ende nuk ka filluar procesin e riciklimit të mbeturinave të ndërtimit.

Edhe Komuna e Podujevës, ajo e Mitrovicës dhe Komuna e Rahovecit kanë konfirmuar për gazetën se nuk bëjnë ende riciklimin e mbeturinave të ndërtimit, ani pse lokacionin për këtë kategori të mbeturinave e kanë të përcaktuar tashmë.

Sikurse në këto komuna, riciklimi mbetet sfidë për gjitha komunat e Kosovës. Strategjia e Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave 2024–2035 përcakton objektiva konkrete për mbeturinat e ndërtimit dhe rrënimit, duke synuar që deri në vitin 2030 të arrihet 40% ripërdorim dhe riciklim, ndërsa deri në vitin 2035 ky nivel të rritet në 50%.

Ndërkohe nga Komuna e Pejës e kanë konfirmuar për gazetën se nuk kanë ende një lokacion të veçantë për grumbullimin e mbetjeve inerte.

Ndërtimet rriten, ndjekja penale mbetet minimale

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë një hendek të madh mes përmasave të problemit dhe reagimit penal të institucioneve. Për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” janë regjistruar vetëm 75 raste në vitin 2023, 58 raste në vitin 2024, 53 raste në vitin 2025 dhe vetëm 12 raste gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Bazuar në statistikat që posedon Policia, krimet mjedisore më të shpeshta janë regjistruar si “Vjedhje e pyllit” (95 raste në gjashtë mujorin e parë të vitit 2026), “Ndotje, degradim ose shkatërrim i mjedisit” (12 raste në vitin 2026), kurse raste më të pakta janë evidentuar si “Dëmtim i objekteve dhe pajisjeve për mbrotjen e mjedisit (vetëm tri raste në 4 vitet e fundit), si dhe punime të paaautorizuara dhe përvetësim i monumenteve kulurore (vetëm tri raste që nga 2023-ta).

Adem Berisha, U.D. i Kryeinspektorit të Departamentit të Inspektoratit të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, në një intervistë për gazetën deklaroi se një nga problemet kryesore në Kosovë mbetet mungesa e deponive të autorizuara për mbeturina inerte.

Sipas Berishës, kapacitetet e inspektimit mjedisor kanë nevojë për përforcim, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

“Aktualisht Kosova nuk ka një sistem plotësisht funksional dhe kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e mbeturinave inerte.”

Siç thekson ai nevojiten investime shtesë në infrastrukturë, riciklim dhe ripërdorim të mbeturinave inerte, si dhe koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve.

Ndër sfidat kryesore të inspektoratit sipas tij janë “numri i pamjaftueshëm i inspektorëve, mungesa e pajisjeve teknike për dokumentimin e shkeljeve, si dhe vështirësitë në identifikimin e personave përgjegjës për ndotjen e mjedisit”.

Edhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) e pohon se menaxhimi i mbetjeve inerte mbetet një sfidë.

Në një përgjigje për gazetën nga ky agjencion theksojnë se megjithëse ekziston legjislacion që kërkon menaxhimin dhe dërgimin e mbeturinave të ndërtimit në lokacione të autorizuara, zbatimi në praktikë vazhdon të jetë i kufizuar.

“Problemet kryesore janë mungesa e operatorëve të pajisur me leje mjedisore përkatëse për grumbullimin, transportin dhe trajtimin e mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit, si dhe mungesa e lokacioneve të dedikuara për deponimin e mbeturinave inerte të pajisura me lejet përkatëse mjedisore.”

Industria: Ligji kërkon deponim, por infrastruktura mungon

Problemet në menaxhimin e mbetjeve inerte i pranon edhe Shoqata e Ndërtimit në Kosovë. Kryetari i saj, Valon Vataj, thotë se, ndonëse ekziston bazë ligjore, zbatimi ndryshon nga një komunë në tjetrën.

“Problemi kryesor është mungesa e një sistemi të organizuar, duke filluar nga ndarja dhe evidentimi i mbeturinave në kantier, transportimi, deponimi në lokacione të përcaktuara dhe deri te përpunimi ose riciklimi”, thotë Vataj për gazetën.

Sipas tij, kompanive nuk mund t’u kërkohet zbatim i plotë i detyrimeve ligjore pa u siguruar infrastruktura e nevojshme. Megjithatë, ai thekson se edhe kompanitë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mbetjet që krijojnë dhe duhet t’i ndajnë e menaxhojnë ato që në fazën e planifikimit të projektit.

Vataj pranon se ka operatorë që shmangin detyrimet, veçanërisht për të ulur kostot, por thotë se mungesa e kontrollit institucional e lehtëson këtë praktikë.

“Kur mungojnë lokacionet e licencuara, gjurmimi i transportit dhe kontrolli institucional, krijohet hapësirë për keqpërdorim”.

Mbeturinat inerte si problem institucional, por edhe si mundësi e pashfrytëzuar

Sipas Jeta Berishës, aktiviste për mjedisin dhe drejtoreshë ekzekutive e Platforma360 që merret me çështje mjedisore, problemi i mbeturinave inerte në Kosovë nuk lidhet vetëm me mungesën e hapësirave për depozitim, por me mungesën e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e tyre.

Ajo vlerëson se rritja e shpejtë e sektorit të ndërtimit nuk është shoqëruar me zhvillimin e mekanizmave të nevojshëm për trajtimin, riciklimin dhe monitorimin e mbeturinave të krijuara nga ky sektor.

“Situata mbetet shqetësuese dhe reflekton më shumë një krizë të planifikimit institucional sesa vetëm një problem të menaxhimit të mbeturinave.”

Sipas saj, edhe pse ekzistojnë lokacione të licencuara për mbetjet nga ndërtimi dhe demolimi, sfidat kryesore mbeten zbatimi i ligjit, mbikëqyrja e pamjaftueshme dhe depozitimet e pakontrolluara.

Berisha thekson se një pjesë e problemit lidhet edhe me mënyrën se si trajtohen këto materiale. Sipas saj, në vend që mbeturinat inerte të shihen vetëm si barrë mjedisore, ato duhet të konsiderohen si burim që mund të rikthehet në ekonomi përmes ripërdorimit dhe riciklimit.

“Bëhet mbetje me vlerë ekonomike, e cila mund të ripërdoret, riciklohet ose të shërbejë si lëndë e parë për procese të tjera prodhimi.”

Ajo shton se përmirësimi i situatës kërkon standarde më të qarta për kompanitë ndërtimore, kontroll më të madh institucional dhe përfshirjen e menaxhimit të mbetjeve që në fazën e planifikimit të projekteve.

“Bizneset fitim, natyrës degradim”

Pavarësisht ekzistencës së një kuadri ligjor, menaxhimi i mbeturinave inerte në Kosovë vazhdon të mbetet një sfidë serioze, vlerëson Prof. Zeqir Veselaj, ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, mbeturinat e tilla paraqesin një problem të veçantë për shkak të sasisë së madhe që krijohet nga aktivitetet ndërtimore, mungesës së hapësirave të dedikuara dhe mungesës së alternativave për ripërdorim dhe riciklim.

“Kjo shkakton ndotje të ajrit nga pluhuri dhe gazet ndotëse, zënie dhe ndotje të tokës, ndotje të ujërave sipërfaqësore dhe atyre nëntokësore, prishje peizazhi dhe degradim të natyrës.”

Veselaj thotë se rritja e shpejtë e ndërtimeve në Kosovë nuk është shoqëruar me zhvillimin e një sistemi të mjaftueshëm për menaxhimin e mbetjeve që krijohen nga ky sektor.

“Thjesht: bizneset fitim, natyrës degradim. E kjo duhet të marrë fund dhe kompanitë të paguajnë për dëmin që bëjnë në mjedis sipas parimit ligjor ndërkombëtar e edhe të ligjit tonë ‘ndotës paguan’.”

Ai thekson se zgjidhja nuk qëndron vetëm te një institucion apo një masë e vetme, por kërkon funksionimin e të gjitha hallkave të sistemit: nga rregullativa ligjore, monitorimi, menaxhimi, ripërdorimi dhe riciklimi, deri te ndërgjegjësimi i kompanive dhe qytetarëve.

Përveç problemeve institucionale dhe mungesës së një sistemi funksional të menaxhimit, mbeturinat inerte të depozituara në mënyrë të pakontrolluar shkaktojnë pasoja konkrete në mjedis, vlerëson Shkumbin Shala, ekspert për mjedis dhe ligjërues në universitetin “UBT”.

“Në tokë, ato mbulojnë shtresën pjellore, zvogëlojnë kapacitetin prodhues të tokës, ndryshojnë strukturën e saj dhe pengojnë zhvillimin e vegjetacionit. Gjithashtu, prishin peizazhin dhe nxisin degradimin e sipërfaqeve natyrore.”

Ai thotë se rreziku rritet kur mbeturinat hidhen pranë lumenjve, përrenjve ose kanaleve ujore, pasi mund të pengojnë rrjedhën natyrore të ujit, të rrisin sasinë e sedimenteve dhe të shtojnë rrezikun nga përmbytjet.

Sipas Shalës, zonat më të prekura zakonisht janë ato me aktivitet të lartë ndërtimor, periferitë e qyteteve, zonat përgjatë rrugëve dhe afër shtretërve të lumenjve.

Ai shton se gjatë transportit dhe depozitimit të këtyre mbeturinave mund të krijohet edhe pluhur, përfshirë grimcat PM10 dhe PM2.5, të cilat ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe mund të paraqesin rrezik për shëndetin e banorëve, veçanërisht për personat me probleme të frymëmarrjes.

Për menaxhim më të qëndrueshëm, Shala rekomandon krijimin e një sistemi të organizuar që përfshin grumbullimin, transportin, riciklimin dhe depozitimin në lokacione të autorizuara.

Pak zgjidhje lokale përballë një problemi kombëtar

Pavarësisht rritjes së shpejtë të sektorit të ndërtimit, institucionet e Kosovës ende nuk kanë një pasqyrë të plotë se sa lokacione të ligjshme për depozitimin e mbeturinave inerte ekzistojnë në vend në vitin 2026, ndonëse gazeta ka kontaktuar institucionet përgjegjëse për ta siguruar këtë informacion.

Kosova vazhdon të mos ketë një databazë kombëtare publike që liston lokacionet aktive për depozitimin e mbeturinave inerte, kapacitetet e tyre, statusin e licencimit dhe komunat që disponojnë infrastrukturë të përshtatshme për këtë kategori mbetjesh.

Ndonëse Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave 2024–2035 e njeh nevojën për përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve dhe krijimin e një sistemi më funksional, dokumenti nuk ofron një inventar të plotë të deponive ose lokacioneve ekzistuese për mbetjet inerte.

Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), deri në vitin 2024 vetëm 21 nga 38 komunat e Kosovës kishin përcaktuar lokacione për depozitimin e mbetjeve të ndërtimit dhe demolimit. Megjithatë, të dhënat zyrtare nuk tregojnë nëse këto lokacione funksionojnë si deponi të licencuara dhe të pajisura sipas standardeve mjedisore, apo janë vetëm vende të përcaktuara nga komunat për hedhjen e këtyre mbetjeve.

Të dhënat e AMMK-së të dërguara gazetës tregojnë se hedhja e paligjshme e mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit mbetet e përhapur. Në vitin 2024 janë evidentuar gjithsej 458 deponi ilegale, prej të cilave 133 kanë qenë deponi të mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit.

Sipas Raportit për Gjendjen e Mbeturinave 2023–2024, rreth 29 për qind e deponive ilegale në Kosovë përbëhej nga mbetje të ndërtimit dhe demolimit. Duke u bazuar në numrin total prej 535 deponish ilegale të evidentuara në vitin 2025, kjo nënkupton se rreth 155 lokacione ilegale lidhen me këtë kategori të mbeturinave.

Megjithatë, gjatë vitit të fundit janë ndërmarrë disa hapa në nivel lokal për krijimin e mundësive më të ligjshme për depozitimin e këtyre mbeturinave.

Në mars të këtij viti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se kryeqyteti ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte ndërtimore dhe të mbeturinave vëllimore, përfshirë edhe inventarin shtëpiak.

Edhe Komuna e Gjilanit, në qershor të këtij viti ka nisur pranimi i mbeturinave të ndërtimit dhe demolimit në deponinë e Velekincës.

15 lokacione të paautorizuara të dokumentuara

Teksa institucionet e Kosovës ende nuk kanë të dhëna të plota dhe të centralizuara për numrin e lokacioneve të ligjshme për depozitimin e mbetjeve inerte, të dhënat zyrtare tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve të ndërtimit dhe demolimit përfundon në deponi ilegale.

Për të verifikuar në terren përmasat e problemit, gazeta identifikoi dhe dokumentoi 15 lokacione në rajonet e Prishtinës, Gjilanit, Novobërdës dhe Graçanicës, ku mbetjet e ndërtimit dhe demolomit janë hedhur jashtë lokacioneve të përcaktuara për këtë qëllim. Lokacionet u identifikuan përmes raportimeve të qytetarëve dhe u verifikuan në terren gjatë muajve korrik–gusht 2026.

7 lokacione u identifikuan në Gjilan. Në lagjen “Pajazit Ahmeti” në Gjilan, ku ndodhet një grumbullim i mbeturinave interte dhe të përziera në kushte anonimiteti i thanë gazetës se hedhjet në lagjen e tyre janë të përsëritura dhe se kamionët vazhdojnë të sjellin materiale, pavarësisht ankesave të tyre. Sipas tyre muajve të fundit aty janë hedhur dhjetëra kamion. Lokacione me grumbullim të mbeturinave inerte u panë në hyrje të Gjilanit, tek “Brana e Livoçit”, si dhe në rrugën “Kika”.



 

Gazeta ka identifikuar grumbullim të mbeturinave inerte, si gurë e dhe edhe në Prishtinë. Pesë lokacione të tilla u panë në zonat e kryeqytetit përgjatë muajit korrik dhe gusht 2026. Grumbullim gurësh nga rrënimi u identifikuan gjatë muajit gusht në hyrje të Liqenin të Badovcit si dhe një lokacion me mbeturina tjera inerte në rrugën “Malet e Karadakut”.

 

Një lokacion i paautorizuar u identifikua në Graçanicë në rrugën “Millosh Obiliqi”, ku shihen grumbullim gurësh e dheu në masë të madhe.

Lokacioni në Novobërdë u identifikua nga gazeta në lagjen “Përroi i keq” në afërsi të pendës së Livoçit të Gjilanit ku mbeturina inerte shihen në masë të madhe pranë bunarëve nga ku banorët e zonës furnizohen me ujë. Aty banorët thanë se pothuajse çdo ditë shihen kamion duke hedhur ilegalisht mbeturina.

Tulla, gurë e dhe u vërejtën edhe përgjatë rrugës “Epopeja e UÇK-së në Klinë në gusht, 2026.

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përmes projektit “Shoqëria kundër Korrupsionit në Mal të Zi dhe Rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e gazetarit që e ka realizuar atë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Related Articles