Në fillim të këtij viti disa Komuna të Kosovës u përfshinë nga vërshimet, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, të cilat lanë pas vetes dëme milionëshe tek ekonomitë familjare dhe bizneset.
Por, që nga ajo kohë, tashmë kur kanë kaluar 9 muaj, Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar financiarisht për dëmet e lartpërmendura, ndonëse premtohej një gjë e tillë.
Si Komuna më e goditur nga vërshimet ishte ajo e Skënderajt.
Nura: Dëmet në Skenderaj shkojnë në 12 milionë €
Kryetari Fadil Nura në një prononcim për Front Online ka thënë që deri tani asnjë cent nuk kanë pranuar nga Qeveria.
Ai thotë që vlerësimet i kanë bërë, por që gati një vit nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.
“Deri në momentin që po flasim nuk është paguar asnjë cent. Ne i kemi kryer vlerësimet sipas Ligjit, i kemi proceduar por nuk kemi përgjigje pothuajse qe një vit”, tha ai.
Megjithatë, Nura thotë që me organizatat i kanë ndihmuar disa shtëpi.
Por që, sipas tij, është e nevojshme ende për ndihmë, e sidomos në infrastrukturë.
“Ne jemi përpjekur me mundësitë tona në bashkëpunim edhe me organizata e shoqata të ndryshme në renovimin e shtëpive të dëmtume, sanitari dhe nevoja të tjera që kanë pasur. Përndryshe infrastruktura mbetet po në atë gjendje, dhe problemi i atyre familjeve është dëm shumë i rëndë”, tha ai.
Kryetari Nura ka thënë që nga vërshimet janë dëmtuar 373 familje.
Ndërsa në total, sipas tij, vlera e dëmit kap shumë 12 milionë euro.
“Në total shuma e dëmeve është 12 milionë €, duke përfshirë me infrastrukturë, me familje, me biznese, bujqësi, komisioni qendror i ka akceptu dëmet që i kemi vlerësuar, kanë qenë dhe ata i kanë rishikuar në terren dhe janë pajtu me vlerën e llogaritjes së dëmeve, kështu që e di që janë proceduar në Qeveri, duhet vetëm vullnet i Qeverisë. Janë 373 familje që janë të dëmtume, domethënë objekte banimi, shtëpi, disa më shumë e disa më pak, pastaj mos të flas për biznese”, ka thënë Nura për Front Online.
Në Istog janë regjistruar 2.7 milionë € dëme
Njëjtë është edhe në Komunën e Istogut.
Drejtori për Emergjenca në Istog, Xhevat Demaj, ka thënë që asnjë kompensim financiar deri më tani nuk është kryer nga Qeveria.
Ai tregon që vlera e dëmeve është mbi 2.5 milionë euro.
”Nga Qeveria prej që e kemi pasur vërshimet nuk kemi pasur asgjë të kompensume. Jemi në pritje ende, njerëzit po kërkojnë, vetëm një ndihmë nga një shoqatë zvicerane iu ka dhënë bujqve me vlerë 300 euro, se asgjë tjetër. Dosjen e kemi dorëzu para katër muajve, dëmet janë diku 2 milionë e 700 mijë €, ndërsa janë 89 familje të dëmtuara”, deklaroi ai për Front Online.
Mbi 800 mijë € dëme në Pejë
Ndërsa për Komunen e Pejës, vlerësimet e dëmit janë bërë vetëm gjatë vërshimeve të janarit.
Madje, kryetari Gazmend Muhaxheri për Front Online ka thënë që Qeveria ka mbetur për t’i kompensuar mjetet.
“Për vërshimet e mëhershme, Qeveria i ka vlerësuar, i ka marrë xhirollogaritë e atyre që kanë qenë të dëmtuar dhe ka mbet me i pagu përmes xhirollogarisë. Këtë të fundit jo, ato të mëhershmeve është bërë vlerësimi dhe janë marrë xhirollogaritë, nuk e di nëse i kanë marrë qytetarët paret”, deklaroi ai.
Në Pejë, mbi 800 mijë euro janë dëmet, tha Muhaxheri.
Kompensimi i dëmeve nga vërshimet e fundit, Ministria: Raporti është në fazën finale
Për shpërndarjen e mjeteve për familjet e dëmtuara në disa komuna për shkak të vërshimeve kanë folur për Front Online nga Ministria e Pushtetit Lokal.
Këshilltari Arianit Abazi ka thënë se raporti për kompensimin e dëmeve është në përfundim.
“Prej informatave që i kemi prej anëtarit tonë që është në Komisionin Qendror, është Komisioni në përgatitje finale të raportit për kompensimin e dëmeve që janë shkaktuar nëpër Komuna nga reshjet e shiut”, tha ai.
Abazi nuk tregon se kur do të fillojë, mirëpo tha që do të kompensohen Komunat që janë prekur nga dy vërshimet e fundit.
“Krejt çka mundemi me e konfirmu se është në fazën finale, por për datë të saktë nuk kam informatë. Komunat janë Skenderaj, Peja, Mitrovica, por edhe komuna të tjera të cilat kanë qenë të prekura prej vërshimeve të fundit”, u shpreh ai për Front Online.
Asociacioni i Komunave: Keqardhje për neglizhencën e Qeverisë
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se qytetarët edhe pas 9 muajve nuk kanë marrë përkrahje nga niveli qendror për vërshimet.
“Është për të ardhur keq që ende niveli qendror nuk i ka ekzekutuar pagesat për qytetarët të cilët kanë qenë të prekur nga vërshimet e fundit. Si kanë marrë më shumë se 9 muaj, po kryhet muaji tetor dhe qytetarët ende se kanë parë dorën e përkrahjes nga niveli qendror”, u shpreh ai për Front Online.
Disa qytete të Kosovës u përballën me vërshime në janar dhe qershor të këtij vitit. Përmbytje nga vërshimet kishte në komunën e Skenderajit, Mitrovicë të Jugut, Klinës dhe Istog.