Pesë persona nga Kosova janë arrestuar nga policia e Shqipërisë në Rinas, njoftojnë autoritetet, raporton Gazeta Enigma.
Sipas Policisë ato po tentonnin të fusnin në Shqipëri barna të kontrabanduara që më pas përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç”, njoftoi policia.
Në 14 valixhe, bagazhe të të arrestuarve, janë gjetur mbi 1 milionë tableta të dyshuara të kontrabanduar me peshë 417 kg. Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjetën edhe 300 mijë euro që ai nuk i kishte deklaruar.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit synonin që t’i dërgonin përfundimisht në Kosovë barnat e blera në Jordani.