Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi thotë se ky i fundit është i gatshëm të pranojë arrestin shtëpiak

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi thotë se ky i fundit është i gatshëm të pranojë arrestin shtëpiak

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ky i fundit është i gatshëm të pranojë arrestin shtëpiak, si dhe ka përmendur edhe garancitë e ofruara nga shtetet e treta.

Kjo u tha përmes një shkresë drejtuar gjyqtarit paraprak të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

“Mbrojtja pohon se një urdhër nga gjyqtari që urdhëron arrestin shtëpiak të z.Thaçi në Kosovë do të ishte i mjaftueshëm për të eliminuar çdo rrezik të identifikuar. Garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës (PK) përbëjnë një element të ri, i cili më tej garanton lirimin e përkohshëm të z.Thaçi sipas kushteve të përcaktuara nga gjyqtari paraprak”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas mbrojtjes, PK-ja ka dorëzuar një vlerësim të sigurisë së PK-së të vendbanimit të Thaçit me qëllim të mbikëqyrjes dhe zbatimit të kushteve të përmendura në Raportin e PK-së.

“Në çdo rast, nëse kërkohet, z.Thaçi konfirmon se është i gatshëm të pranojë arrest shtëpiak në të gjitha kushtet e arsyeshme që do të konsiderohen të nevojshme nga gjyqtari paraprak, duke përfshirë edhe përtej kushteve standarde të arrestit shtëpiak, për të plotësuar çdo kërkesë apo shqetësim të ZPS-së dhe gjyqtarit paraprak”.

Gjithashtu thuhet se Thaçi është i gatshëm të heqë dorë nga çdo e drejtë kushtetuese që mund të cenohet nga kushtet e përcaktuara nga gjyqtari paraprak.

“Në alternativë, mbrojtja rithekson propozimin e saj që z.Thaçi të lirohet në territorin e [REDAKTUAR], sipas kushteve që i konsideron të nevojshme gjyqtari paraprak, në pajtim me nenin 41 (11) të Ligjit për DhSK-në dhe rregullin 56 (4) të Rregullores. Një masë e tillë, tashmë e zbatuar me sukses para gjykatave të tjera ndërkombëtare për ish-zyrtarët e lartë, është plotësisht e garantuar në rastin konkret”, thuhet tutje.

Po ashtu në këtë shkresë thuhet se ata paraprakisht kanë dorëzuar garanci nga të cilat konfirmojnë vullnetin dhe kapacitetin e tyre për të akomoduar Thaçin sipas kushteve të përcaktuara.

Ndryshe më një dhejtor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë refuzuar garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit nën akuzën se ka kryer krime lufte.

Një nga arsyet që përmenden në dokumentin e publikuar nga Gjykata Speciale, thuhet se ekziston mundësia e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Related Articles