Në hapje të seancës gjyqësore në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, shprehu kundërshtimin për seancat të cilat po mbahen të mbyllura dhe kërkoi që procedurat të jenë të hapura për publikun.
Kehoe tha se duan që procedurat të mbahen hapura dhe të merret vesh e vërteta, derisa theksoi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS).
“Siç e keni vënë re i kemi kundërshtuar të gjitha masat e përdorura nga ZPS për seanca të mbyllura. Por, dua të tërheqë vëmendjen se jo vetëm se kundërshtojmë sepse duam që procedurat të mbahen hapura e të merret vesh e vërteta, por kemi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga ZPS.”, tha ai.
Kehoe u shpreh se si pasojë e seancave të mbyllura, kanë vështirësi edhe në parashtrim të pyetjeve.
Ndërsa. prokurorja Deborah Mayer tha se masat mbrojtëse për dëshmitarët janë marrë me kërkesë të ZPS-së dhe sipas saj për shkak të frikësimit të dëshmitarëve.
Pas kësaj, në gjykatoren e Hagës po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të pestë të Prokurorisë, nën masa mbrojtëse.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.