“Mbushen” qendrat mjekësore, ja cilat mosha rrezikohen nga temperaturat ekstreme

“Mbushen” qendrat mjekësore, ja cilat mosha rrezikohen nga temperaturat ekstreme

Temperaturat e larta kanë ngritur shqetësime në tërë Evropën, duke përfshirë edhe Kosovën.

Punonjësit e shëndetit, vazhdimisht po bëjnë thirrje për shmangie të daljes gjatë temperaturave të larta, raporton Gazeta Enigma.

Në bazë të të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat maskimale gjatë muajit korrik, varijojnë nga 33-37 gradë Celsius.

Në lidhje me këto temperatura, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka bërë thirrje për qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta sepse paraqesin rrezik për shëndetin.

“Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidmos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, njofton IKShPK.

Rreziqet dhe mundësitë e parandalimit të goditjeve nga temperaturat e larta

Fevzi Sylejmani, mjek familjar dhe drejtor në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, në Mitrovicë, ka thënë për Gazetën Enigma, se temperaturat e larta që po mbizotërojnë, ndikojnë negativisht në trupin e njeriut e sidomos te të moshuarit.

“Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta”, thekson mjeku.

Sipas Sylejmanit, është gjithashtu e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji.

Po ashtu, duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël, ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale, thekson ai.

Sylejmani, ka njoftuar edhe për simptomat që paraqesin rrezik për shëndetin dhe në raste të tilla, mjeku apelon që të lajmëroheni në qendrën më të afërt emergjente.

“Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente”.

Ndërsa, Arbenita Hajdari, specialiste e mjekësisë familjare dhe drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare në Gjilan, ka folur për Gazetën Enigma, rreth pasojave nga temperaturat e larta dhe dëmet që mund të shkaktohen në trupin e njeriut nëse ekspozohemi në temperatura të larta.

“Duke u ekspozuar në diell mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me ngërçe, vjellje, diarre, skuqje dhe djegie të lëkures, duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçience renale apo dëmtim të veshkëve”.

Hajdari, ka bërë të ditur cilët janë personat e rrezikuar dhe kur duhet të shmangen temperaturat e larta.

Edhe sipas saj personat me moshë të shtyer, pacientët me sëmundje kronike, shtatëzanat, fëmijët e vegjël, konsiderohen kategori e rrezikuar sipas Hjadarit, ndërsa, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 11:00-17:00, thekson specialistja e mjekësisë familjare.

“Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar, vishni veshje të lehta dhe të gjera, bëni dush të freskët, pini shumë ujë, shmangni pijet me sheqer, alkoolike dhe me kafeinë”, bën thirrje Hajdari.

Sipas drejtoreshës në QKMF, duhet të bëhet mbajtja e shtëpive freskët, të hapen dritaret natën dhe të reduktohet përdorimi i pajisjeve elektrike. E si pasojë e temperaturave të larta, Hajdari thotë se në Gjilan ka dyfishim të rasteve të sëmundjeve tek pacientët.

“Janë rritur rastet për ndihmë mjekësore me rritjen e temperaturave, pothuajse kemi dyfishim të numrit të tyre sidomos natën gjatë kujdestarisë”, theksoi Hjadari.

Gazeta Enigma, ka kontaktuar edhe Agim Krasniqin, specialist i Mjekësisë Familjare, i cili ka spjeguar në mënyrë të detajuar ndikimin e temperaturave të larta në shëndetin e përgjithshëm të njeriut.

“Njerëzit mund të vuajnë nga nxehtësia kur sistemi i kontrollit të temperaturës së trupit është i mbingarkuar. Trupi normalisht ftohet duke djersitur. Por në disa kushte, djersitja thjesht nuk është e mjaftueshme. Në raste të tilla, temperatura e trupit të një personi rritet me shpejtësi. Dhe si pasojë temperaturat shumë të larta të trupit mund të dëmtojnë trurin ose organet e tjera vitale”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, ka disa faktorë që ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën e tij.

“Disa faktorë ndikojnë në aftësinë e trupit për të ftohur veten gjatë motit jashtëzakonisht të nxehtë. Kur janë temperaturat e larta dhe lagështia e ajrit po ashtu është e lartë, si duket tani mas disa ditëve me shi në vendin tonë, djersa nuk do të avullojë aq shpejt, duke parandaluar që trupi të çlirojë shpejt nxehtësinë. Kushtet e tjera që mund të kufizojnë aftësinë për të rregulluar temperaturën përfshijnë moshën e vjetër 65+, rininë (mosha 0-4 vjeç), mbipesha, ethet, dehidratimi, sëmundjet e zemrës, sëmundjet mendore, qarkullimi i dobët, djegia nga dielli dhe përdorimi i barërave me recetë si dhe përdorimi i alkoolit”, ka potencuar Krasniqi.

Krasniqi, ka folur edhe për rastet e goditjeve nga temperaturat e larta dhe simptomat paralajmëruese.

“Në rastet e shenjave të goditjes nga temperatuart e larta apo siç njihet goditja nga dielli duhet pas kujdes në këto shenjat paralajmëruese të goditjes nga nxehtësia të cilat mund të ndryshojnë, por mund të përfshijnë si vijon: Temperatura jashtëzakonisht e lartë e trupit (mbi 39°C), lëkurë e kuqe, e nxehtë dhe e thatë (pa djersitje), pastaj, puls i shpejtë dhe i fortë, dhimbje koke pulsuese, marramendje, nauze, konfuzion dhe pavetëdije”.

Krasniqi, tutje ka shtuar se goditja nga nxehtësia është një urgjencë mjekësore që kërkon trajtim të menjëhershëm.

Qëllimet kryesore të trajtimit nga goditja e nxehtësisë janë ulja e temperaturës së trupit, parandalimi i dëmtimit të organeve dhe stabilizimi i shenjave vitale.

Krasniqi, ka konfirmuar për Gazetën Enigma se gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta është rritur dukshëm numri i vizitave mjekësore si rezultat i përkeqsimit të shëndetit me theks të veçantë të sëmuret kronik, punëtorët të cilët janë të ekspozuar në diell për kohë më të gjatë, si dhe fëmijët nga 0-4 vjeç.

Kujtojmë faktin se në disa vende të Evropës, temperaturat kanë arritur në 46 gradë Celsius dhe pritet të mbizotërojnë për disa ditë me rradhë, duke rrezikuar edhe më tej shëndetin e njerëzve. /Gazeta Enigma/

Related Articles