Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ka më kapacitete për të pranuar pacientë të infektuar me COVID-19.
Kjo klinikë i ka të zënë të gjithë shtretërit me pacientë të infektuar, andaj të gjithë pacientët e infektuar që po shkojnë për të kërkuar trajtim mjekësor aty, po referohen për në dy klinika tjera.
Një pacientë ka treguar për Express se nga Klinika e Pulmologjisë i është kërkuar që të hospitalizohet diku tjetër, për shkak se në këtë klinikë nuk ka më vende të lira.
Pacienti ka dërguar një raport mjekësor me anë të cilit i është kërkuar që të bëjë testin PCR e pastaj të hospitalizohet diku tjetër, për shkak se në klinikë nuk ka më vende të lira.
Ndërsa edhe drejtori i klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha e ka pohuar se nuk kanë më vende të lira për pacientët me COVID-19.
Ai ka thënë se pacientët e infektuar që po kërkojnë trajtim në këtë klinikë po i dërgojnë në klinikën interne dhe atë të mjekësisë sportive.
“Po i kemi mbushura kapacitetet me pacientë. Tani po i dërgojmë në klinikën interne dhe Mjekësinë Sportive. Deri sot kemi pasur vende të lira, ndërsa tani jemi duke i dërguar atje pacientët”, ka shtuar ai.