Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pasi mediumi serb, ka raportuar se 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Mehaj përmes një reagimi në Facebook tha se ky lajm nuk është i vërtet.
Ai tha se janë tre kërkesa për demobilizim që kanë pranuar prej kohësh, dhe për të cilat janë duke ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.
“Prandaj, deklarimet e tilla publike i shohim më tepër si tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte.
Përpjekjet e Serbisë për të frikësuar pjesëtarët serb të FSK-ës janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane”, tha ai.
Tutje, Mehaj tha se nuk presin që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por sipas tij, edhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve.
“Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut. Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie.Bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO!”.