Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet

Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, këtë të shtunë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Ministri, Mehaj ka njoftuar përmes një postimi në profilin e tij në Facebook për vizitën që bëri së bashku me disa nga krerët e Qeverisë në varrezat e Jasharajve.

“Sot së bashku me kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë, ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë”, ka shkruar ai.

Njëherit, ai ka shtuar se “atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit , i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen”.

Kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë, e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim definitiv.

“Restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjies sonë kombëtare, do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet , sepse këtë ia kemi borxh, jo Familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit”, ka shkruar Mehaj.

Të lavdishëm gjithmonë Jasharajt Legjendar! /Gazeta Enigma/

Related Articles