Mehaj takohet me Escobarin, Ministria thotë se mori mbështetje të fuqishme nga ai

Mehaj takohet me Escobarin, Ministria thotë se mori mbështetje të fuqishme nga ai

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, emisarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Ministria e Mbrojtjes thotë se Mehaj ka marrë mbështetje të fuqishme nga Escobar.

“Në këtë takim, ministri Mehaj e njoftoi z.Escobar me vizionin dhe qëllimet e tij strategjike, si dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe nga ai mori mbështetjen e plotë në realizimin e tyre”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Tutje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Mehaj dhe Escobar u pajtuan se “të arriturat e deritashme të Ministrisë dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë”.

“Po ashtu, në këtë takim është ri-konfirmuar që partneriteti në mes të Kosovës dhe SHBA-së është çdoherë e më i fortë sepse bazohet në vlerat e përbashkëta të dy vendeve dhe u theksua nevoja për gjetjen e formave tjera për ta thelluar akoma më shumë bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Gjithashtu, ministri Mehaj dhe z. Escobar diskutuan edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre me konstatimin e përbashkët se shumë e rëndësishme është siguria bashkëpunuese nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Në fund të këtij takimi, Escobar thuhet se e falenderuar ministrin Mehaj dhe e ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-s në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani.

Related Articles