Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar homologun e tij italian, Guido Crosetto, me të cilin folën rreth bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve në fusha specialistike, forca speciale, aviacion e mjekësi.
Mehaj i ofroi Crosettos gatishmërinë që FSK-ja të ofrojë trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit urban, deminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
“Përveç të tjerash biseduam dhe për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, dhe rëndësinë e unitetit për mbështetjen e ukrainasve në luftën kundër agresorit rus”.
“Në këtë aspekt bëra të ditur se Kosova mbanë qëndrim të qartë kundër politikave ruse, dhe në vazhdimësi si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, jemi duke ofruar gjithçka që është e mundshme brenda kapaciteteve tona, duke përfshirë pranimin e refugjatëve si dhe integrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë”, shkroi Mehaj.
Ai, më tej tha se me Italinë, Kosova do të vazhdojë thellimin e bashkëpunim, që sipas tij, është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.