Pika kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim që nga 27 dhjetori.
Në anën serbe të Merdares, sipas autoriteteve të Kosovës, janë vendosur barrikada për rreth dy kilometra.
Mbrëmjen e 27 dhjetorit, MPJD, tha se “grupet kriminale serbe” bllokuan kufirin në Merdare dhe ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për të arritur në Kosovë.
Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, autoritetet në Kosovë, që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Grupe të serbëve lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që prej kur janë vendosur barrikadat 19 ditë më parë, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.
Qeveria e Kosovës tha të hënën se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.
Ndryshe, përveç pikëkalimeve kufitare të Merdares, Jarinjës dhe Bërnjakut – që aktualisht janë të mbyllura – Kosova dhe Serbia kanë edhe tri pika të tjera kufitare: Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.
Pritja për hyrje dhe dalje në këto pika kufitare, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, është nga 3 deri në 15 minuta.