Merz nga selia e NATO-s: Të gjithë mund të mbështeten te Gjermania, paralajmëron Rusinë

Merz nga selia e NATO-s: Të gjithë mund të mbështeten te Gjermania, paralajmëron Rusinë

Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz ndodhet në Bruksel, udhëtimi i tij i parë ky në kryeqytetin e BE-së që nga emërimi i tij, ku do zhvillojë një listë me takime.

Nga takimi i tij i parë me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Merz ka thënë se dëshiron që të gjithë të “jenë në gjendje t’i besojnë Gjermanisë dhe ta dijnë se mund të mbështeten te Gjermania”.

Merz poashtu ka rishprehur mbështetjen e fortë për Ukrainën, duke thënë se do të “bëjë gjithçka që mundet për të përfunduar këtë luftë sa më shpejt”.

Ai theksoi se “ukrainasit duhet të përfshihen” në çdo diskutim dhe u zotua se BE do të vazhdojë të “mbështesë Ukrainën në aftësinë për të mbrojtur veten në mënyrë efektive”.

Tutje Merz ka paralajmëruar edhe Rusinë se nëse nuk angazhohet për paqe, do të përballet me sanksione të tjera.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që tani të angazhohet në një rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe nëse kjo nuk ndodh, ne nuk do të hezitojmë të rrisim presionin e sanksioneve me partnerin tonë evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, është shprehur ai.

Ndërkohë, duke përcaktuar prioritetet e tij për politikën e BE-së, Merz ka thënë se shtetet anëtare duhet t’i japin përparësi avancimit të tregut të vetëm të BE-së si një nxitës të konkurrueshmërisë së bllokut dhe të nxisin thjeshtimin e rregullave.

Kancelari gjerman gjithashtu ka mbrojtuar planet e qeverisë së tij për të shtrënguar kontrollet kufitare, duke këmbëngulur se – pavarësisht raporteve në shtypin gjerman – ai nuk kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare për migracionin dhe të gjitha kontrollet do të jenë në përputhje me ligjet e BE-së.

Related Articles