Kristjan Asllani është shumë pranë hapit të madh në karrierë.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka mbërritur para pak minutash në ambientet e klinikës “Humanitas” në Rozano të Milanos për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore me klubin e tij më të ri, Interin.
20-vjeçari elbasanas pasi të kryejë kontrollet rutinë do të zbarkojë menjëherë në selinë e Interit për të hedhur të “zezën në të bardhë” në kontratën e tij që do ta lidhë me skuadrën zikaltër.
Asllani vjen nga Empoli për shifrën e 14 milionë eurove plus 2 milionë euro të tjera në formë bonuse.
Në sezonin që përfundoi, Kristjan Asllani u aktivizua gjithsej në Serinë A me fanellën e Empolit në 23 ndeshje duke realizuar 1 gol dhe duke dhuruar gjithashtu edhe 1 asist për shokët e skuadrës.