Pas kualifikimit në finalen e Kupës së Kosovës, SC Gjilani arriti një tjetër sukses në këtë sezon, duke u kualifikuar në garat evropiane, më saktësisht në kualifikimet për Ligën e Konferencës pas barazimit 2-2 ndaj Llapit.
SC Gjilani i siguroi garat evropiane një xhiro para përfundimit të kampionatit, falë dy golave të sulmuesit, Mevlan Zeka i cili po kalon në formë shumë të mirë me skuadrën gjilanase.
28-vjeçari ka arritur në shifrën e 10 golave në Superligë, duke qenë njëri prej lojtarëve kyç në këtë sezon nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani.
Sulmuesi Mevlan Zeka në një bisedë për Gazetën Enigma ka folur për formën e tij të mirë që po kalon te SC Gjilani dhe për finalen e Kupës së Kosovës. Ai gjithashtu ka një mesazh edhe për tifozërinë e kësaj skuadre.
“Po kaloj në një formë shumë të mirë me skuadrën e SC Gjilanit dhe duhna me i faleminderu edhe bashkëlojtarët e mi, stafin teknik për punën dhe mbështetjen e çdo tifozi gjatë këtij rrugëtimi”, thotë Mevlan Zeka për Gazetën Enigma.
Ai thotë se është i lumtur që i kanë arritur synimet e tyre si klub duke mos kursyer asgjë në fushë.
“Jam shumë i lumtur, sidomos në ndeshjet e fundit nuk jemi kursy në asnjë sekond të vetëm në fushën e gjelbër, vetëm e vetëm për t’i arritur synimet tona me klubin dhe është ndjenjë e mirë kur i ndihmon skuadrës me gola dhe paraqitje të mira”, potencon ish-futbollisti i Feronikelit.
10 golat e Superligës nuk e lën Mevlan Zekën që të vetëkënaqet, ai kërkon ma nga vetja e tij.
“Edhe pse kam arritur në kuotën e 10 golave në Superligë, unë gjithmonë kërkoj edhe më shumë nga vetja, sepse e di që mund të bëj edhe më shumë dhe nuk do të ndalem me kaq”, shprehet Mevlan Zeka.
Finalja e Kupës së Kosovës është thelbësore për Mevlan Zekës, ai i premton tifozëve që do të jap 100 për qindshin nga vetja e tij vetëm e vetëm që ta sjellë kupën në qytetin e Gjilanit.
“Jemi në finale dhe do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundur, sepse në futboll gjithmonë synim është kupa dhe synimi ynë është që ta fitojmë këtë finale. Do të jap 100 për qindshin nga vetja ime, të paraqitem sa më mirë për këtë finale dhe padyshim që kishte me qenë ndjenjë e madhe që ta mbylli finalen me gol dhe fitore”, shprehet Zeka i motivuar para finales së Kupës së Kosovës.
Ai krejt në fund i falënderon edhe tifozët “Skifterat” për mbështejen gjatë tërë sezonit.
“Për tifozët tanë Skifterat i falënderoj nga zemra të gjithë sepse na qëndruan pranë në çdo moment si në të mirë si në të keq”.
Kujtojmë që finalen e Kupës së Kosovës SC Gjilani do ta luaj në cilësinë e vendasit dhe do të luaj me fanellat e kuqe. Finalja luhet më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj FC Prishtinës./GAZETA ENIGMA/