Reshjet e borës në Kosovë po vazhdojnë, por sipas Ministrisë së Infrastrukturës të gjitha rrugët që janë në menaxhimin e saj janë të kalueshme.
“Sipas informatave të cilat janë marrë nga terreni nga menaxherët e mirëmbajtjes të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale si dhe Autoudhët, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve. Edhe pse ka pasë reshje të vazhdueshme të borës në 24 orët e fundit, kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në aktivitet të vazhdueshëm, të pastrimit të rrugëve”, thuhet në një përgjigjje nga MI për Gazetën “Enigma”.
Nga kjo ministri thonë se kujdes të veçantë po i kushtohet rrugëve që shtrihen në lartësi të mëdha mbidetare sepse sipas tyre aty paraqiten ngrica herë pas here.
MI ka kërkuar nga vozitësit që të kenë kujdes.
“Kërkojmē nga ana e vozitësve që të respektojnë rregullat e vozitjes gjatë kësaj kohe” thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërsa nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kanë bërë të ditur se java e dytë e muajit janar do të kushtëzohet me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Kjo situatë e motit sipas IHK-së do të krijohet për shkak të masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.
Temperaturat minimale për gjatë këtyre ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -8 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 3 gradë Celsius.
Në viset malore përveç reshjeve të dendura të borës parashihen temperatura më të ulëta për 3-5 gradë Celsius, varësisht nga lartësia mbidetare./Gazeta “Enigma”/